Ballina Europë Belgjika i kthen Egjiptit sarkofagun 3,000-vjeçar të sekuestruar në vitin 2015

Belgjika i kthen Egjiptit sarkofagun 3,000-vjeçar të sekuestruar në vitin 2015

9
0

Autoritetet belge njoftuan sot se kanë kthyer në Egjipt një sarkofag 3,000-vjeçar që u sekuestrua nga policia në Bruksel në vitin 2015.

“Pas 10 vitesh hetimesh dhe procedurash ligjore, është vërtet një akt drejtësie të kthehet në vendin e origjinës një pjesë e vjedhur e trashëgimisë së saj (kulturore)”, tha prokurori Julien Moinil.

Zyra e prokurorit të Brukselit tha se sarkofagu dhe një objekt më i vogël – një mjekër prej druri – iu dorëzuan ambasadorit egjiptian në një aktivitet të veçantë në kryeqytetin belg.

Antikitetet u sekuestruan nga policia belge në vitin 2015, pas një operacioni të Interpolit, i cili ishte informuar nga autoritetet egjiptiane. Që atëherë ato janë mbajtur në Muzeun Mbretëror të Artit dhe Historisë në Bruksel.

Sarkofagu prej druri, i cili daton nga periudha Ptolemaike (shekulli i 4-3 para Krishtit), “padyshim i përkiste një anëtari të shoqërisë së lartë” në Egjiptin e lashtë, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, vihet re se hieroglifet në sarkofag i referoheshin pronarit si “Pa-di-Hor-pa-herd”, që përkthehet si “Ai që iu dha nga Harpokrati”. Harpokrati është një formë e helenizuar e perëndisë Horus, birit të Osirisit dhe Isisit.)