Nga Erion Dasho
Në një shtet serioz, nëpunësit civilë dhe drejtuesit janë hallka kyçe për funksionimin e institucioneve dhe vetë shtetit. Ata janë memorja institucionale, garancia e zbatimit të ligjit dhe përgjegjësit për funksionimin e gjithë shtetit, përtej cikleve të qeverive dhe interesave të përkohshme politike. Pa një kastë drejtuesish të aftë, të ndershëm dhe të pavarur, nuk mund të kryhen reforma dhe as zbatohen strategji zhvillimore afatgjata.
Përvoja e punës në këto vite më ka çuar në shumë vende të botës dhe më ka dhënë mundësinë të njihem nga afër me mënyrën si funksionon administrata publike në këto vende. Dallimet sigurisht janë të mëdha, por në thelb, aty ku shteti funksionon, administrata është e shenjtë.
Në vijim do të jap dy shembuj, një nga Gjermania, një nga Nepali, në pamje të parë dy realitete krejt të ndryshëm, por me një pikë të përbashkët, respektin ndaj shërbimit civil dhe mbrojtjen e tij nga ndërhyrjet politike.
*
Në Gjermani kategoria e punonjësve civilë quhet “Beamte”. Ata janë funksionarë të përhershëm të shtetit dhe punojnë në administratë, polici, drejtësi, arsim, dogana dhe institucione të tjerë të pavarur. Beamtët nuk i përkasin partive, nuk i ndryshon dot çdo ministër, dhe gëzojnë mbrojtje ligjore nga çdo ndërhyrje politike.
Beamtët janë një ndër arsyet kryesore se përse, edhe kur qeveritë ndryshojnë, Gjermania ecën përpara.
Shteti gjerman nuk zhbëhet çdo katër vjet…
Nepali është një vend në zhvillim, por sistemi i tij i nëpunësve civilë është tepër i konsoliduar, me një strukturë të qartë të niveleve dhe nënniveleve hierarkike. Kalimi nga një nivel në tjetrin bëhet nëpërmjet kritereve transparente, si p.sh., vjetërsia në punë, përvojat e mëparshme, arritjet, vlerësimi i performancës, penalizimet, etj.
Ky sistem ka bërë që administrata nepaleze të mbetet funksionale dhe të ruajë integritetin edhe gjatë tranzicioneve politike, të cilat nuk kanë qënë të pakta. Madje në shekullin tonë ndodhi edhe kalimi nga monarkia në republikë.
Në mënyrë të zgjuar aplikohet edhe mandati i kufizuar, ku një drejtues pasi qëndron 2 deri 5 vjet në detyrë, kalon detyrimisht në një pozicion tjetër në përputhje me nivelin që ka arritur në hierarkinë administrative.
Si Gjermania ashtu edhe Nepali kanë kuptuar dhe zbatojnë me përpikmëri një parim strikt të ndarjes së pushteteve, administrata duhet të jetë e pavarur nga politika, profesionale dhe e mbrojtur nga arbitrariteti i politikës. Kjo nuk është thjesht çështje teknike, por parim shtetformues.
Beamtët gjermanë dhe zyrtarët nepalezë gëzojnë respekt, mbështetje dhe, mbi të gjitha, nuk zëvendësohen sipas tekave të partive. Sepse në fund të ditës, institucionet nuk ndërtohen me fjalime dhe demagogji, por me njerëz të ndershëm dhe profesionistë që nuk e kanë frikë pushtetin politik.
*
Në Shqipërinë e Boratit, drejtori është instrument i vjedhjes dhe i kontrollit të politikës mbi burimet dhe interesat. Nuk ka patur asnjë përpjekje për ndërtimin e një administrate të pavarur dhe profesionale. Përkundrazi, janë emëruar militantë kokëboshë, shpesh pa patur as edhe kualifikimin më minimal për detyrën dhe pozicionin.
Me kalimin e viteve, emërimi i drejtorëve të rëndësishëm u bë kompetencë e përbashkët e politikës, oligarkisë, krimit dhe narkotrafikut. Qëllimi është i qartë: të emërohen njerëz të bindur dhe të korruptuar, të cilët nuk pyesin për ligj, por vetëm për urdhrat e pronarëve, cilëtdo qofshin ata.
Shembujt janë të pafund. Drejtorët e famshëm të grupit 5D, sinonimi i abuzimit, vjedhjes deri në shndërrimin në hajdutë strategjikë. 5D-të mund të hyjë në librin e Rekordeve Guinness, pasi hajdutët u përjashtuan nga detyrimi për t’u taksuar, kur deshën të investojnë paret e vjedhura nga taksat.
Përgjimet e Sky ECC nxorën zbuluar se si shumë drejtorë u emëruan dhe kanë qenë nën kontrollin e bandave, duke u bërë pjesë e strukturave të pastrimit të parave, narkotrafikut dhe krimit.
Kjo që ka krijuar Borati vetëm administratë nuk mund të quhet!
Kjo është mafia me dokumente zyrtare…
*
Së fundi, Borati ka nisur “fushatën e spastrimit” duke shkarkuar në masë drejtorë bashkiakë, duke u përpjekur të japë përshtypjen e një pastrimi moral. Përveç se i paligjshëm sepse minon edhe atë pak autonomi lokale që i ka mbetur Shqipërisë, ky është qartazi teatri i radhës.
Drejtorët e rinj që do të emërohen për të zëvendësuar të vjetrit, do të jenë po aq të korruptuar, sepse kriteri mbi të cilin ata përzgjidhen nuk ka ndryshuar: të vjedhin, të vjedhin, të vjedhin. Mbi të gjitha, pjesën e luanit të mos ta mbajnë për xhepin e vet, por për tutorin politik apo atë kriminel.
Shqiptarët vetë nuk kanë asnjë dyshim.
Përsa kohë do të ekzistojë qeverisja e Boratit, administrata nuk do të prodhojë as punë dhe as rezultate, por 5D-në e radhës…