Ballina Europë Kurdët dorëzojnë armët, 47 vite gjakderdhje marrin fund! Erdogan: Epokë e re...

Kurdët dorëzojnë armët, 47 vite gjakderdhje marrin fund! Erdogan: Epokë e re për Turqinë

9
0

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka reaguar pasi Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dorëzoi armët. “”Plaga” 47-vjeçare e terrorizmit” po i afrohet fundit dhe po hapet një “faqe e re” në historinë e Turqisë”, tha ai. Erdogan foli në hapjen e takimit të 32-të të konsultimit dhe vlerësimit në një hotel në Ankara.

“Turqia ka fituar. Secili prej 86 milionë qytetarëve tanë – turq, kurdë dhe arabë – ka fituar”, tha Erdogan një ditë pas ceremonisë së dorëzimit.

“Ne po ndjekim nga afër çdo iniciativë që mund të ndalojë gjakderdhjen, të qetësojë lotët e nënave, të lehtësojë vuajtjet dhe të forcojë vëllazërinë. Projekti i një Turqie të lirë nga terrorizmi që kemi ndjekur kohët e fundit nuk është rezultat i një negociate, një pakti apo një procesi dhënieje dhe marrjeje. Ne po e çojmë përpara projektin tonë të një Turqie të lirë nga terrorizmi me këtë vetëdije”, shpjegoi presidenti turk.

Erdogan foli për popullin e etnisë kurde të cilët i quajti “vëllezër” të turqve, teksa tha se Ankaraja është e hapur për t’u ulur dhe biseduar me ta.

“Çështja e qytetarëve tanë kurdë nuk është vetëm e jona, por edhe e vëllezërve dhe motrave tona kurde në Irak dhe Siri. Po e diskutojmë këtë proces me ta dhe ata janë shumë të lumtur. Vëlla kurd, nëse ke ndonjë problem, do të ulemi dhe do të flasim”, tha Erdogan, duke theksuar se do të vazhdojë të punojë me qeverinë siriane dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Unë besoj fuqimisht se kapitulli i terrorizmit do të mbyllet dhe vëllazëria do të mbizotërojë”, vijoi ai.

“Me fundin e “terrorizmit”, Turqia do të jetë “shumë më e fortë dhe më e sigurt se më parë. Ne do t’i përqendrojmë energjitë tona në biznesin tonë kryesor. Do t’i mobilizojmë burimet tona jo për luftën kundër terrorizmit, por për zhvillimin, prosperitetin dhe një Turqi të begatë”, njoftoi Erdogan, duke specifikuar se qeveria turke do të lehtësojë përfundimin e procesit duke monitoruar dorëzimin e armëve.