Ministri i ri i Mbrojtjes i Rusisë, Andrei Belousov, është përfshirë në një skandal të bujshëm që ka tronditur opinionin publik dhe institucionet ushtarake të vendit. Sipas burimeve ruse dhe ndërkombëtare, Belousov dyshohet se ka përdorur avionë ushtarakë për udhëtime private të të dashurës së tij, influencueses 23-vjeçare Maria Salaeva, duke ngritur shqetësime serioze për keqpërdorim të burimeve shtetërore dhe shkelje të sigurisë kombëtare.
Raportimet thonë se Salaeva është fotografuar dhe filmuar duke udhëtuar me një avion ushtarak të tipit Ilyushin-76 në destinacione të ndryshme brenda Rusisë, përfshirë një fundjavë në Rostov-on-Don, një qytet strategjik ku ndodhet selia e ushtrisë ruse. Fotot dhe videot, tashmë të fshira nga rrjetet sociale, e shfaqin atë brenda avionit dhe, sipas medias së pavarur Nexta, një burrë me flokë gri i filmuar në njërën nga pamjet mund të jetë vetë ministri Belousov.
Zbulimet kanë nxitur reagime të forta nga qarqe ushtarake, të cilat e kanë cilësuar incidentin si “shkelje masive të sigurisë”. Sipas raportimeve, shërbimet sekrete ruse kanë vizituar babanë e Salaevës në vendin e tij të punës, duke ngritur dyshime se është hapur një hetim për këtë çështje.
Influencuesja ka publikuar detaje të shumta nga udhëtimet luksoze, përfshirë faktin që kishte marrë me vete edhe djalin e saj trevjeçar, për të cilin aludimet nuk mungojnë se mund të jetë fëmija i oficerit të lartë ushtarak. “Në moshën tre vjeç, ai tashmë ka fluturuar me një avion ushtarak,” shkruan ajo.
Në postime të tjera, Salaeva përshkruan partnerin e saj si “njeri i Kremlinit” dhe pohon se “niveli i besueshmërisë së tij është 200%”, duke shmangur me kujdes zbulimin e emrit të tij. Ajo gjithashtu rrëfen se ai e quan “e çmendur” me përkëdheljen “yebobo” dhe me ironi sugjeron se duhet ta rekrutonte në ushtri, por se do të lirohej për paqëndrueshmëri mendore.
Media Nexta, e cila operon nga Varshava, pretendon se Salaeva lë të kuptohet në postimet e saj se i dashuri i saj është vetë Belousov. Megjithëse nuk ka ende një konfirmim zyrtar për marrëdhënien e tyre, informacionet e publikuara kanë ngjallur zemërim të madh publik.
Ministria e Mbrojtjes dhe Kremlini nuk kanë reaguar deri më tani, ndërsa përdorimi i burimeve ushtarake për interesa personale po cilësohet si një skandal me pasoja të rënda politike dhe morale. Kritikat ndaj Belousov vijnë në një moment delikat për Rusinë, në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe tensioneve të shtuara ndërkombëtare.