Një 34-vjeçar, Franci Xhaferri, është plagosur me armë zjarri pasditen e 12 korrikut në një lokal në Valias. Ai është paraqitur në spitalin për të marrë ndihmë mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Tiranës informoi se ka arrestuar autorin e ngjarjes, një 54-vjeçar, Besnik Koçiu ndërsa në pranga është vënë edhe i plagosuri pasi nuk ka bashkëpunuar me uniformat blu për të rrëfyer rrethanat e ngjarjes.
34-vjeçari i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa blutë gjatë kontrollit në banesën e autorit kanë arritur që të gjejnë dhe sekuestrojnë armën e krimit.
Njoftimi i policisë së Tiranës
Dyshohet se nga pakujdesia plagosi me armë zjarri një 34-vjeçar, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 51-vjeçari.
Në pranga edhe 34-vjeçari i dëmtuar, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Sekuestrohet arma e zjarrit me të cilën 51-vjeçari dyshohet se ka kryer plagosjen.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se pasditën e djeshme ishte paraqitur në spital për ndihmë mjekësore një shtetas, dyshohet i plagosur me armë zjarri, menjëherë organizuan punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.
Nga veprimet e shpejta hetimore u bë identifikimi, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit B. K., 51 vjeç, i cili dyshohet se nga pakujdesia, pasditen e djeshme, në një lokal në Valias, ka qëlluar me armë zjarri në këmbë shtetasin F. Xh., 34 vjeç, me të cilin banonin në të njëjtën lagje. Ky i fundit ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, u arrestua edhe shtetasi F. Xh. (i dëmtuari), pasi gjatë procesit hetimor nuk bashkëpunoi plotësisht, duke mos dhënë informacion të mjaftueshëm mbi rrethanat dhe personin e dyshuar si autor të plagosjes.
Më tej, gjatë kontrollit të banesës së 51-vjeçarit, u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit, pistoletë, me të cilën dyshohet se është kryer plagosja.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.