Ballina Ekonomia Fuqizohet importi! Në pesë vite u blenë nga jashtë 300 mln euro...

Fuqizohet importi! Në pesë vite u blenë nga jashtë 300 mln euro bulmet dhe 383 mln euro mish

17
0

Nga kaçkavalli i Gjirokastrës te ‘Feta’ greke apo ‘Pecorino’ italian. Tanimë është më lehtë të gjesh një produkt të huaj në dyqane dhe markete sesa prodhim shqiptar.

Vetëm gjatë vitit të kaluar janë importuar nga jashtë 35.428 tonë produkte bulmetore, vezë e mjaltë, me vlerë 68 milionë euro. Vlera këto të rritura ndjeshëm me vitet e mëparshme, pasi në 2023-shin u importuan 31 mijë tonë me vlerë 62 milionë euro vetëm tek kjo kategori.

Sasia më e madhe e importit të bulmetit është nga Italia me 22 mln euro (8 mijë tonë), ndjekur nga Greqia me 5.2 milionë euro (1.586 tonë) e më pas Serbia me 2.5 milionë euro importe bulmeti.

Shtimi i prezencës së mallit të importit është i dukshëm edhe në produktet e tjera, që lidhen me prodhimin blegtoral në vend. Boshllëku i mishit vendas, po mbushet nga Brazili kryesisht.

Janë 48.602 tonë mish të importuara nga jashtë me vlerë 82 milionë euro vetëm gjatë vitit të shkuar. Harta e importit të mishit kalon përtej oqeanit, pasi janë blerën 26.5 milionë euro mish nga Brazili dhe 9.8 milionë euro nga SHBA apo 5.1 milionë euro nga Paraguai. Ndërsa në rajon kryeson mishi i blerë në Itali dhe Greqi.

Kërkesa në rritje për bulmet apo mish importi ka ardhur si rezultat i uljes së prodhimit vendas, i shkaktuar nga tkurrja e numrit të bagëtive. Shqipëria numëron më pak se 1.7 milionë krerë lopë e të imta, nga 2.4 milionë krerë para një dekade.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se prodhimi i qumështit dhe i nënprodukteve të tjera pësoi rënie vjet, situatë që vijon edhe përgjatë këtij viti, pasi importi i prodhimeve të importuara po shtohet.

Shifrat e INSTAT tregojnë se në vitet e fundit importi i produkteve të bulmetit dhe të mishit është rritur shpejt. Nga viti 2020 deri në fund të 2024-ës sipas përllogaritjeve janë blerë nga jashtë 300 milionë euro bulmet dhe 383 milionë euro produkte mishi dhe të brendshmet e tij.

Jo vetëm tek blegtoria, por edhe prodhimet bujqësore po zëvendësohen me ato të importuara kryesisht sa i takon drithërave ku pesha kryesore mbahet nga gruri.