Tenisti italian Jannik Sinner u shpall sot fitues i grand slam të Wimbledon. Në finalen londineze, në turneun më të rëndësishëm të fushave me bar, ai mundi 3-1 me përmbysje spanjollin Carlos Alcaraz (4-6, 6-4, 6-4, 6-4). Ai është italiani i parë që fiton në Wimbledon.
Fitore e rëndësishme për numrin 1 në botë, që nuk përsëriti gabimet e finales së Roland Garros, duke u hakmarrë ndaj spanjollit. Alcaraz, numri 2 në botë, dorëzoi kështu titullin e këtij turneu, që e kishte fituar në dy vitet e fundit.
Ky është suksesi i parë në karrierë për Sinner në Wimbledon, ku arriti t’i mbijetojë një eliminimi në çerekfinale, për të shpërthyer më pas ndaj Djokovic dhe Alcaraz. Këtë herë ai arriti të ruajë qetësinë në momentet vemdimtare dhe të triumfojë.
Alcaraz arriti të fitojë setin e parë, por më pas erdhi përmbysja e italianit, që arriti të fitojë nga një “break” në tri setet e tjera me shërbimet e spanjollit. Sinner ishte më i saktë në lojën në fundore, duke mos i dhënë asnjë shans spanjollit.
Për Sinner ky është triumfi i katërt në një grand slam (ka fituar dy herë në Australian Open dhe një herë në US Open), duke mbrojtur kreun e renditjes botërore. Alcaraz u përpoq, por në fund u detyrua të pranojë epërsinë e italianit.