Shqiptarët duket se po afrohen më shumë me librin, pasi libraritë e kryeqytetit raportojnë se përgjatë vitit 2025 shitjet janë rritur dhe janë të rinjtë ata që dominojnë.
Me ardhjen e verës, duket se kërkesa për libra ka ardhur jo vetëm nga blerësit vendas, por edhe nga turistët e shumtë që vizitojnë Tiranën.
“Viti që lamë pas ka qenë i ngjeshur, por këtë vit, duke parë që numri i turistëve po shtohet, sigurisht dhe fokusi i leximit dhe i librarisë është më i lartë,” thotë librashitësi Sinan Lila.
Ndryshe nga sa mendohet, lexuesit nuk i përkasin vetëm një brezi. Libraritë po vizitohen nga moshat më të ndryshme, nga të rinjtë tek mosha e tretë.
“Kemi nga të gjitha llojet e moshave, është mosha e tretë që lexon shumë, gjithashtu janë dhe të rinjtë që tregojnë interes,” thotë librashitësi Sinan Lila.
Nxënësit e arsimit nëntëvjeçar dhe të mesëm kanë një listë me librat letrar që duhet t’i lexojnë në pushimet verore, si pjesë e detyrimit shkollor, por përtej saj ata kërkojnë libra shtesë.
“Tek të rinjtë fokusi është libri në anglisht me theks te fantazia dhe misteri. Ndërsa te lexuesit më të rritur vihet re interes për letërsinë bashkëkohore…,” thotë Sinan Lila, librashitës.
Përfaqësuesit e librarive thonë se për të stimuluar lexueshmërinë tek të rinjtë, ato zhvillojnë aktivitete të ndryshme që afrojnë të rinjtë me librin.