Mjetet janë bllokuar për shkelje të perimetrit të sigurisë detare, ushtrim aktiviteti jahstë zonave të miratuara apo pa dokumentacion.
Policia Kufitare gjatë javës së fundit ka bllokuar 36 mjete lundruese nga Ksamili në Koman. Drejtuesit e mjeteve janë gjobitur me 100.000 lekë gjobë.
Gjithashtu përgjatë javës janë shpëtuar në det 18 shtetas, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet lundruese.
Njoftimi i policisë:
“SIGURIA DETARE”
36 mjete lundruese të bllokuara, nga Ksamili në Koman. 18 shtetas (shqiptarë dhe të huaj) u shpëtuan në det, përmes ndërhyrjes së Policisë Kufitare.
Policia Kufitare në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare në kuadër të operacionit “SIGURIA DETARE”, ka intensifikuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, në zonat liqenore dhe lumore, me fokus në garantimin e sigurisë për pushuesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese.
Gjatë javës së fundit, janë kontrolluar 254 mjete lundruese, nga të cilat 36 janë bllokuar për Shkelje të perimetrit të sigurisë detare, ushtrim aktivitetesh jashtë zonave të miratuara dhe pa dokumentacion përkatës.
Mjetet e bllokuara janë 24 Jet Ski, 5 Skafe, 4 gomone dhe 3 varka metalike me motor uji të instaluar.
13 mjete lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative 100,000 lekë secili.
Ndërkohë nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 10 raste për t’u ardhur në ndihmë 18 shtetasve, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese.
Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese që të mos shkelin perimetrin e sigurisë, të lundrojë vetëm në zonat e lejuara dhe të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit.
Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë detare apo të masave të sigurisë, në numrin pa pagesë 112 duke u garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.