Ballina Bota Trump “i kënaqur” me hetimin mbi atentatin ndaj tij, lavdëron snajperistin e...

Trump “i kënaqur” me hetimin mbi atentatin ndaj tij, lavdëron snajperistin e Shërbimit Sekret

15
0

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se është “i kënaqur” me hetimin për atentatin ndaj tij vitin e kaluar gjatë një tubimi zgjedhor në shtetin e Pensilvanisë, ndërsa vuri në dukje dështimet serioze të sigurisë.

Ai tha se është informuar disa herë nga FBI-ja, Shërbimi Sekret dhe Departamenti i Drejtësisë, dhe vlerësoi Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi për rolin e saj në hetim.

“Pamela po bën një punë fantastike”, tha Trump.

“Ata më informuan dhe jam i kënaqur me këtë. Jam i kënaqur me të”, theksoi ai.

Bëhet e ditur se Trump kritikoi dështimet e sigurisë që i lejuan sulmuesit të hapte zjarr nga një ndërtesë në afërsi të vendit ku po fliste me mbështetësit, duke thënë: “Ata duhet të kishin pasur dikë në ndërtesë. Ky ishte gabim. Ata duhet të kishin pasur komunikime me policinë lokale. Ata nuk ishin të lidhur dhe duhet të ishin të lidhur”.

Atentati në Butler ndodhi gjatë një tubimi fushate për kandidatin Trump më 13 korrik 2024.

Të shtënat plagosën Trumpin kur një plumb i preku veshin e djathtë.

Zjarrfikësi Corey Comperatore u vra nga të shtënat me armë zjarri dhe dy të tjerë u plagosën.

Qëlluesi, 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks, u vra nga agjentët e Shërbimit Sekret në vendngjarje pas të shtënave.

“Ishte e paharrueshme”, tha Trump.

Presidenti vlerësoi snajperistin e Shërbimit Sekret, duke e identifikuar atë vetëm si “David”, për reagimin e tij të shpejtë dhe të saktë.

“Brenda më pak se pesë sekondave, ai arriti ta kapte nga një distancë e gjatë me një të shtënë. Ai bëri një punë fantastike”, tha presidenti amerikan.