Në fillim të vitit, operatorët turistikë prisnin që turizmi të kishte një rritje 15% në raport me vitin 2024.
Pritshmëria optimiste buronte nga disa faktorë, ku më kryesori është fakti që Shqipëria mbetej një destinacion i promovuar gjerësisht.
Muaj pas muaji, këto pritshmëri janë zbehur disi dhe kësaj ia vunë “vulën” zyrtarisht shifrat e Lëvizjes së Shtetasve, ku në maj ishin 1.9% më shumë të huaj se maji 2024. Në total 5-mujori ka shënuar rritje me vetëm 3.9% të hyrjes së të huajve.
Operatorët turistikë presin që vera 2025 të jetë më e dobët se ajo e vitit të shkuar duke marrë si referencë rezervimet paraprake të korrikut dhe gushtit që janë dukshëm më të ulëta, ndërkohë që edhe qershori ka qenë i dobët.
“Qershori, nga kontaktet që kam me hotelet, nuk ka pasur ecuri të mirë. Ka pasur më pak rezervime se vitin e kaluar.
Përveç turizmit të organizuar, që ka rritje, sepse janë kontratat me garanci, pra të parapaguara dhe po respektohen, rezervimet individuale janë shfaqur dobët.
Përjashto Shëngjinin dhe Velipojën, ku frekuentimi kryesor mbetet nga Kosova, në të gjithë bregdetin nga Durrësi në Vlorë e Sarandë, rezervimet individuale kanë qenë më pak se qershori i vitit 2024.
Kjo është më e dukshme sidomos në Vlorë dhe në Sarandë”, – tha Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.
Verë më e dobët, por vitin pritet ta shpëtojë “vjeshta”
Teksa vera pritet të ketë një numër më të ulët vizitorësh si efekt i një Diaspore më të tkurrur dhe një Kosove më pak të pranishme, në total, viti 2025 parashikohet të ketë ecuri më të mirë, e kompensuar nga pranvera, edhe pse me rritje modeste, por edhe nga turet kulturore të vjeshtës.
“Mendoj që në sezonin veror, shifrat do të jenë më pak se vjet në lidhje me turistët. Si total, viti 2025 pres që të jetë më mirë se viti 2024. Këtë diferencë mund ta bëjnë turet kulturore të vjeshtës.
Rritja gjithsesi do të jetë më e ulët se ajo që ne prisnim në fillim”, tha z. Kasa.
Golemi mbetet edhe këtë vit destinacioni më i konsoliduar i lidhur me segmentin e turizmit të organizuar, edhe pse individët janë edhe këtu më dobët.
Problemeve të mëdha u shtohen edhe ato bazë, Golemi mbetet pa ujë
Në prill, operatorët turistikë u përballën me faktin se nuk do të kishte fluturime nga Aeroporti i Vlorës, siç ishte premtuar, dhe kontratat me garanci të parapaguara do të duhet të rinegocioheshin duke i mbajtur ata kostot për ndryshimet.
Sikur të mos mjaftonte kjo, infrastruktura rrugore në disa zona turistike është e pamjaftueshme apo jashtë standardit, ndërsa zonat e plazhit janë kthyer në kantiere ndërtimi.
Kjo duket se ka përkeqësuar vlerësimin e agjencive të huaja për Shqipërinë duke vënë në pozitë të vështirë marrëdhënien me operatorët vendës.
“Shumë grupe kanë ardhur nga fundi i majit e në vazhdim dhe për hir të së vërtetës vlerësimet e tyre nuk kanë qenë shumë të mira.
Ankesat ishin më së shumti për ndërtimin, por tani së fundmi është shtuar dhe uji. Flas vetëm për Golemin”, – tha z. Kasa.
Për shkak të rikonstruksionit të një nyjeje në rezervuarin e Manskurisë që furnizon me ujë zonën e Golemit, liqeni në këtë zonë është tharë. Kjo ka detyruar bizneset të gjejnë zgjidhje të furnizimit me ujë me bote apo me hapje pusesh, shkruan ndër të tjera MONITOR.