Ish-presidenti Bamir Topi, në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV iu rikthye përpasjeve të ashpra madje edhe publike me kryeministrin Sali Berisha në vitet 2008 dhe më pas në vitin 2011.
Ai tha se përplasja e parë ndodhi pas shpërthimit në Gërdec ku vdiqën 26 njerëz dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, pas të cilës edhe u bë edhe marrëveshja Berisha-Rama për ndryshimet kushtetuese. Ndërsa kulmi i përplasjeve institucionale ndodhi pas vrasjes së 4 protestuesve në bulevard, përpara kryeministrisë më 21 janar 2011, gjatë protestës së organizuar nga PS-ja, kut Topi tha se mbështeti organet e drejtësisë që ishin sulmuar ashpër nga kryeministri i asaj kohe, Berisha.
“Përplasja e vërtetë me Berishën ka ndodhur në vitin 2008 dhe ka qenë shumë institucionale. Nisi pas 15 marsit 2008 me shpërthimin e Gërdecit. Pasi jemi kthyer nga Bukureshti kur morën ftesën për anëtarësimin në NATO dhe 2-3 ditë pas këtij momenti shikoj flash informativ që vinte nga komisioni i ligjeve dhe çështjeve kushtetuese, i cili po trajtonte marrëveshjen që është votuar më 21 prill 2008. Aty ngrihet një ish-deputete e Shkodrës dhe propozon që ndryshimet kushtetuese që do të bëheshin të kundërfirmoseshin nga kryeministri. Kishte filluar lufta. Ishte një nga normat më antidemokratike. Ky episod ngriti alarmin se unë s’kisha asgjë në dorë, asnjë letër. Unë mora informacionin se këta po punonin me opozitën. Ishte një projekt i Berishës dhe i Ramës dhe e futën Shqipërinë në një periudhë krizash ciklike.
Me kushtetutën që këta realizuan ti mund të zëvendësosheshe për 24 orë me 71 vota jo me 84 si më parë.
Kam folur një javë para se të miratohej kjo marrëveshje okulte se dëmi ishte te partitë brenda, beteja kundër institucioneve, kthimi nga republikë parlamentare në republikë kryeministore. Ka 17 vite që unë i bie kësaj melodie që opozita sot e mallkon, por nuk e thotë dot se e ka arkitektin aty brenda.
Një javë pas Gërdecit unë thirra Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në atë takim ka patur diskutime që mbeten aty brenda.
Përplasja jonë vjen në 21 janar 2011. Këtu gjërat harrohen shumë shpejt. Pas asaj që ndodhi në bulevard unë kam dalë në një status dhe ka qenë shqetësim maksimal nga ana ime se ishin vrarë njerëz dhe mesa duket ajo që kam cilësuar ka qenë vrasjet në bulevard dhe kam thënë vrasjet në kryeministri. Të gjithë e panë skenën 3D dhe mbajta qëndrim shumë të fortë dhe më pas u dhashë mbështetje publike institucioneve të drejtësisë nga prokurorja e përgjithshme e më tej”- u shpreh ndër të tjera ish-presidenti Topi.