Kryetarja e degës së Caritas në Shqipëri dënoi modelin e qendrës së paraburgimit të emigrantëve në Gjadër në një diskutim me blogun Tra Cielo e Terra.
“Të jetosh në kafaz nuk është humane,” vuri në dukje drejtuesja e zyrës së organizatës bamirëse Caritas në Shqipëri, Ariela Mitri, në një diskutim të botuar më 10 korrik në blogun Tra Cielo e Terra, shkruan infomigrants.
Referenca ishte për qendrën e përhershme të riatdhesimit (CPR) në Gjadër, e krijuar si rezultat i një Memorandumi Mirëkuptimi midis Italisë dhe Shqipërisë.
‘Rreziku i replikimit në Evropë’
“Gjadri është një realitet tjetër,” vazhdoi Mitri, duke nënvizuar aspektet e ndryshme të një “model pilot që, nëse do të funksiononte, do të zbatohej, sipas qëllimeve të atyre që e hartuan, edhe në vende të tjera të Evropës”.
Megjithatë, theksoi ajo, kjo “nuk ka të ardhme dhe nuk duhet të ketë një të tillë”.
Drejtoresha e Caritas theksoi se, “Shqipëria dha tokën, por qeveria në Tiranë nuk ka të bëjë fare me modelin, strukturën dhe kushtet”.
“Gjithçka menaxhohet nga Italia”, vuri në dukje ajo, “askush tjetër nuk është i përfshirë. Nëse, pas një identifikimi fillestar, merret vendimi që personi duhet të shkojë në Gjadër, atëherë ai dërgohet në atë vend që është një qendër paraburgimi de facto, jo një qendër pritjeje për emigrantët”.
‘Projekti analog me atë skandaloz Britani-Ruanda’
Mitri theksoi natyrën “e pazakontë” të një procedure të tillë, “meqenëse, në nivelin ligjor, nëse njerëzit kanë zgjedhur Italinë si destinacion, atëherë ata duhet të vijnë në Itali. Ata nuk mund të zhvendosen. Në rastin e riatdhesimeve, këta duhet të largohen nga Italia, dhe kështu ata duhet të kthehen në Itali dhe prej andej të dërgohen përsëri në vendin e tyre. Kjo lëvizje vajtje-ardhje nuk ka asnjë kuptim.”
Kjo praktikë, pa asnjë lloj garancie minimale dhe me kosto më të larta, është “absurde”, shtoi ajo.
“Po flasim për një model të ngjashëm – i cili për fat të mirë nuk kaloi – i diskutuar tashmë kur Britania e Madhe donte të dërgonte migrantë, përfshirë shqiptarë, në Ruandë: diçka skandaloze.”
“Pati takime, por më pas ai propozim u la në pritje,” vuri në dukje ajo.
“Në këtë rast, në vend të kësaj, Italia ishte më e vendosur, si dhe më e shpejtë dhe donte të sillte menjëherë modelin Gjadër”.