Marjan Rroku, ish-agjenti i SHISH i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e të dashurës dhe nënës së saj në vitin 2001 në Tiranë, ka humbur një tjetër betejë në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo gjykata ka vendosur të mos kalojë për shqyrtim në seancë plenare një ankim të depozituar prej tij, duke lënë kështu të pandryshuar dënimin e marrë, si autor i vrasjes së Alda dhe Mbarime Canajt.
Në trokitjen e tij të katërt në radhë në Kushtetuese, ish-agjenti i SHISH, kërkoi të shfuqizojë vendimet gjyqësore të Gjykatës së Tiranës, Apelit dhe Gjykatës së Lartë për mbylljen e tij të përjetshme në burg.
Në të njëjtin ankim ai kërkoi shfuqizim të tre shkallëve të gjykimit për vendimin që i refuzoi atij kërkesën për pavlefshmëri të urdhrit të ekzekutimit të vendimit penal të dënimit.
Sipas Rrokut, urdhri i ekzekutimit ishte i pavlefshëm, pasi ishte firmosur vetëm nga kryesuesi i trupës dhe jo nga dy anëtarët. Kushtetuesja nuk e legjitimoi Rrokun për ankimin ndaj tre vendimeve të burgut përjetë, për shkak se është paraqitur përtej afatit ligjor.
Sipas Kushtetueses, ankimi është depozituar në prill 2025, 11 vjet pasi kërkuesi ka marrë dijeni për dënimin, në një kohë afati aktual është 4 muaj, ndërsa ai i parashikuar në ligjin e kohës 2 vjet.
Marjan Rroku u dënua në mungesë nga drejtësia Shqiptare në vitin 2002, pasi gjatë hetimit dhe gjykimit ju fsheh drejtësisë. Ai u arrestua në SHBA dhe u ekstradua në Shqipëri në vitin 2014, kohë nga e cila vuan dënimin.
Në vitin 2016 ai kërkoi rihapje të çështjes, kërkesë që ju refuzua në të gjitha shkallët e gjykimit, vendim që nuk u ndryshua as nga Kushtetuesja.