Nga Baton Haxhiu
E dashur Eni,
Njihemi shume gjatë. Po ta shkruaj këtë letër me vonesën që ma imponoi një ditë dhe nuk mund të isha i pranishëm në tryezën që kishe organizuar për Radio Televizionin Shqiptar.
Edhe nuk kisha dëshirë të prish punë me praninë, sepse ndaj mendime radikale për këtë institucion. Edhe ajo tryezë ku ti u gjende, për të ardhmen e një institucioni të vjetër, të lodhur, të përçudnuar, por ende të papërdorur siç duhet, ishte një çast për të folur pa ndrojtje. Ndaj po e bëj tani, publikisht.
Pse nuk erdha në tryezën për të ardhmen e RTSH-së? Sepse mendova se është më mirë të them të vërtetën nga larg, se sa të hesht nga afër.
Kam qenë në shumë tryeza, por kjo më frikësoi jo për shkak të pranisë, por për shkak të mungesës së sinqeritetit që shoqëron zakonisht fjalët në emër të institucioneve publike. RTSH nuk ka nevojë për mendime të kujdesshme. Ka nevojë për një shok elektrik institucional. Dhe unë desha ta them ashtu siç është:
Mbylle RTSH-në për ta shpëtuar!
Sepse një institucion që nuk reformohet nga brenda, ka nevojë të rindërtohet nga jashtë.
Kur një institucion s’ka më të ardhme, duhet t’i japësh një tjetër lindje.
Dhe kjo nuk ndodh me letra mirëkuptimi, por me vendime që duken të pamundura. Me ndihmën e profesionistëve të ftohtë, jo me servilë të butë.
RTSH nuk është një çiflig për militantët, është një borxh ndaj kujtesës.
Arkiva e tij është thesari më i madh që ka Shqipëria dhe është përdorur më mirë nga televizionet private se sa nga vetë shtëpia që e ka ruajtur.
Institucioni që s’është i askujt, por që të gjithë e shkatërrojnë.
Politikanët e përdorin, bordi e bllokon, dhe brenda tij është ndërtuar një solidaritet frikacakësh që bashkohet vetëm për të mos ndryshuar.
Prandaj nuk erdha në tryezë. Sepse nuk kam më dëshirë të flas për ndryshime, por për shkëputje. Sepse RTSH nuk ka nevojë për drejtim, por për ndërprerje.
Dhe sepse ti, Eni, me gjithë peshën që mban tani, nuk duhet ta mbash këtë institucion me frymëmarrje të aparaturës.
Duhet t’i japësh një zemër të re.
Po mundohem të sqaroj pak më gjatë gjithë këtë problematikë.
RTSH nuk është një televizion që ka humbur rrugën. Është një rrugë që ka humbur kuptimin. Dhe ti tani nuk je thjesht drejtore. Je roja e fundit që mund të mos dorëzohet përballë një institucioni që ka nevojë të shpëtohet prej vetvetes.
Nëse do të filloja nga problemi më i madh, ai nuk është brenda mureve të RTSH-së, por jashtë tyre: Bordi.
Një bord që ndërtohet me vota politike, me pazare të vogla parlamentare dhe që, më shumë se sa të përfaqësojë publikun, përfaqëson hijet që rrinë prapa çdo vendimi. Ata nuk njohin median. Nuk kuptojnë ritmin, nuk ndiejnë urgjencën e përmbajtjes. Ata imponojnë projekte që s’kanë lidhje me misionin publik. Të shfaqin miqësisht kërkesat e partisë dhe pastaj bëhen gjykatës të asaj që vetë nuk e kuptojnë.
Ky bord është bllokues, jo mbikëqyrëse. Dhe e vetmja mënyrë për të mos u shkatërruar nga presioni i tyre është të mos u shërbesh.
RTSH dhe Ministria e Jashtme janë dy nga institucionet që, në mënyrë paradoksale, përfaqësojnë më mirë Shqipërinë publike. Sepse në to janë grumbulluar njerëz të të gjitha kohëve, ideologjive dhe paaftësive. Komunistë dhe demokratë. Royalistë dhe socialistë. Por më shumë se gjithçka, dashnorë të politikës dhe klientë të përjetshëm të sistemit.
Aty, brenda, ka një solidaritet të fshehtë midis kundërshtarëve. Ata që luftojnë për të mos punuar. Ata që ndihen të kërcënuar vetëm kur u përmend fjalën “ndryshim”.
Do të të dalin përpara si “sindikalistë”, si “profesionistë”, si “të përndjekur” dhe si “kolonë kurrizore”. Në fakt, janë rezistenca e pajetës, që ka mbijetuar vetëm sepse askush s’ka pasur guximin t’i përjashtojë për paaftësi. Ata do të bashkohen kundër teje jo pse je e padrejtë, por pse je e re dhe ke një ide.
Dhe prandaj, vendimi më radikal dhe më i drejtë që do të mund të propozoje është ky: mbylle RTSH-në për gjashtë muaj. Me vendim Kuvendi.
Kërko një reformim themelor me ndihmën e një ekipi nga BBC ose ARD. Të ftohtë, profesionistë, pa interesa.
Le të rekrutojnë ata njerëzit që meritojnë të jenë aty. Ti nuk ke përse të largosh 400 vetë. Ata do të të mallkojnë përjetë. Por nëse kjo ndodh nga një trupë ndërkombëtare, institucioni rifillon pa ngarkesën e armiqësive personale. Dhe kjo do të ishte rruga më e pastër drejt rilindjes së vetme që mund të ndodhë.
Sepse ajo që ke në dorë është shumë më e madhe se sa duket. RTSH-ja ka një arkivë që është pasuria më e madhe publike që ka Shqipëria. Një arkivë që mund të transformohet në një galeri kujtese, histori, edukimi dhe sensibiliteti. Në vend që të mbetet një magazinë pa kontekst.
Deri më sot, këtë arkiv e kanë përdorur të gjithë përveç vetë RTSH-së. Televizionet private kanë ndërtuar mitologjinë e së shkuarës mbi materialin e RTSH-së, ndërsa ky i fundit nuk ka ditur as të vendosë titra.
E keqja është se shumica e drejtuesve të RTSH-së kanë ardhur nga kanale të tjera. Si të ishin me mision të shkatërrojnë atë që u besua të ringjallin.
RTSH-ja ka një Orkestër Simfonike që nuk e ka asnjë televizion publik në rajon. Por anëtarët e saj i sheh në dasma. Në mbrëmje lokalesh. Në televizione të tjera. Sepse RTSH-ja nuk ka ditur t’u japë dinjitet.
Me këtë orkestër mund të krijosh çdo javë një spektakël: Nga “filarmonia e kujtesës”, te muzika popullore, nga rock i viteve ’80, te bashkëpunime me grupe si “Gjurmët” – koncerti i të cilëve, e them me bindje, ishte një nga mrekullitë më të mëdha që kam parë.
Orkestra është një perlë që qëndron në sirtar. Dhe çdo sirtar i kyçur është një akt i vogël tradhtie ndaj qytetarit që paguan për të.
Po politika?
Çfarë mund të të them?
Në Shqipëri, çdo deputet ka nga një emër për të punësuar, një hall për të zgjidhur, një emision ku do të duket dhe një mendim për të imponuar. Dhe nëse nuk u jep gjë, të shpallin arrogante. Nëse u jep, të bëjnë peng. Nuk ke si të fitosh. Prandaj nuk duhet të negociosh me pushtetin, por të mbijetosh me dinjitet. Të mos jesh as aleate, as armike. Të jesh një drejtore që përfaqëson një qytetari, jo një komision.
Dhe më e rëndësishmja: RTSH-ja nuk është një kanal. Është një sistem. Është Televizioni. Është Radioja. Është Orkestra. Tashmë janë edhe mediat sociale. Dhe çdo njësi ka nevojë për drejtim. Jo për mik. Jo për militant. Jo për vetëkënaqje. Po për menaxhim të dijes. Dhe ata që kanë dijen, nuk janë shumë. Janë pak. Por duhet t’i gjesh. Dhe duhet t’i mbrosh.
Dokumentari në Shqipëri është kthyer në një fletë-rrufe digjitale. Një zë i vetëm, pa imazh, pa arkiv, pa sens. Si një gjyq politik i viteve ’50.
Nëse do të mbetesh në histori si drejtoresha që i ktheu gazetarisë dokumentarin, do të kishe bërë më shumë se shumë të ashtuquajtur “reformatorë”.
Njerëzit sot informohen përmes zhurmës së TikTok-ut. Por kujtesa nuk ndërtohet me algoritëm. Ndërtohet me strukturë, kontekst dhe shpirt.
RTSH-ja duhet të prodhojë edukim dhe sfidë. Pyetësorë për nxënësit. Gara të dijes në shkolla. Një ring ku shqiptarët mësojnë nga njëri-tjetri, jo vetëm nga opinionistët e lodhur.
Nëse nuk e bën këtë, do të mbetesh vetëm një “drejtoreshë e radhës”. Dhe RTSH-ja do të mbetet siç është: një kafaz që vjen nga e kaluara, pa të ardhme.
Të gjitha këto që po të them, nuk janë ide që mund t’i realizosh vetë. Disa prej tyre nuk janë as të mundshme. Por është detyra jote t’i thuash me zë të lartë. Sepse televizioni publik nuk është vendi ku bëhet ajo që mundet. Është vendi ku dëshmohet se çfarë duhet.
RTSH-ja duhet të përfaqësojë njeriun shqiptar. Njeriun real. Jo vetëm atë në Shqipëri, por edhe në diasporë. Aty ku fjala shqipe ruhet si bukë e shenjtë. Dhe për këtë, ne kemi nevojë për një RTSH që nuk është thjesht zëri i shtetit, por memoria, kultura dhe rezistenca e një kombi të tërë.
Në fund Eni po ta them përvojën time.
Nuk e them nga largësia, por nga përvoja. Kam qenë në bordin themelues të Radiotelevizionit të Kosovës menjëherë pas luftës. Dhe e mbaj mend mirë se si BBC erdhi me përulësinë dhe përkushtimin për të ndërtuar një medium publik nga hiçi.
Ata sollën etikën, trajnimet, kuadrin e gazetarisë së lirë dhe ndërtuan një RTSH të dytë, por këtë herë me frymën e shërbimit ndaj publikut dhe me respektin për profesionalizmin.
Dhe për aq kohë sa BBC qëndroi, RTK funksionoi. Kur u larguan, ajo që ndërtuan qëndroi edhe pak, por pastaj politika bëri atë që di të bëjë më mirë: e minoi përbrenda. Dhe e la të përçahet midis grupeve dhe grupimeve, e të harrojë pse u ndërtua.
Ky mësim është universal. Një televizion publik nuk mund të qëndrojë në këmbë nëse nuk ruhet nga ndërhyrja politike. Dhe nuk mund të ecë përpara nëse nuk ka në thelb të vetin dijen, profesionin dhe karakterin. Këto janë të pakta, por ekzistojnë.
Për këtë arsye, po ta mbyll këtë letër me një ftesë publike:
Ftoje një mik tonin të përbashkët. Ai është ndër të paktët që e njeh me rrënjë dhe me filozofi thelbin e një televizioni publik. Ka eksperiencë editoriale, sensibilitet të fjalës dhe më e rëndësishmja, një ide për drejtimin që duhet të marrë një medium i tillë.
Në një vend ku shumica e njohin vetëm mediat komerciale, A.SH. është ndër të rrallët që e kupton diferencën mes spektaklit dhe misionit. Dhe ekuilibrin për distancën higjienike profesionale ndaj pushtetit, edhe kur është kundërshtar në bindje.
Nëse do ta kthesh RTSH-në në një institucion që i përket qytetarit dhe jo bordit, politikës apo pasqyrës boshe të vetes, nuk do të mjaftosh vetëm ti. Por do të mjaftojë të krijosh një rreth të vogël njerëzish që nuk duan pushtet, por kanë dije.
Kështu nis çdo kthesë e madhe.
Me respekt të thellë, dhe me bindjen se kjo letër nuk është vetëm për ty, por për çdo drejtues publik që e kupton peshën e një institucioni.