Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar sot se i ka propozuar zyrtarisht zëvendëskryeministres së parë dhe ministres së Ekonomisë, Yulia Svyrydenko, që të marrë drejtimin e qeverisë si kryeministre e re e vendit.
Në një postim në platformën sociale “X”, Zelensky shkroi:
“Diskutuam masa konkrete për forcimin e kapaciteteve ekonomike të Ukrainës, zgjerimin e programeve mbështetëse për qytetarët ukrainas dhe zhvillimin e mëtejshëm të prodhimit të brendshëm të armëve. Për të realizuar këto objektiva, po marrim iniciativën për transformimin e ekzekutivit në vend,” theksoi ai.
Presidenti shtoi se i ka propozuar Svyrydenkos që të marrë drejtimin e qeverisë dhe të “rifreskojë ndjeshëm punën e saj”.