Pas disa ditëve të freskëta, është rikthyer moti i nxehtë në territorin shqiptar. Meteorologia e A2 CNN Tanja Porja paralajmëroi në Dita Jonë se duke filluar nga mesdita e sotme deri të shtunën temperaturat do të arrijnë nga 39-40 gradë celsius.
“Nga e marta në të shtunën do të kemi ndryshime të lehta në mëngjes. Do të vijojë edhe për pak ditë nata të jetë e freskët deri të premten, ndërsa mesdita do të arrijë në 38 gradë celsius. E mërkura sjell rritje të ndjeshme. Mesjava do të shënojë 39-40 gradë celsius”, tha Porja.
Sipas saj qytetet me temperatura të larta deri në 40 gradë do të jenë Shkodra, Elbasani, Berati Gjirokastra me maksimume 39-40 gradë celsius.
Ndërkohë vija bregdetare do jetë e kthjellët, herë pas here vranësira kalimtare do të ketë në plazhet e Velipojës dhe Shëngjinit.
Meteorologia e A2 CNN paralajmëroi rrebeshe të premten në veri, ndërsa nesër reshje të izoluara në lindje e juglindje.
“Nesër prezencë reshjesh të pakta të izoluara në lindje dhe juglindje. Të premten rrebeshe afatshkurta në skajin verior e verilindor”.