Antibiotikët konsiderohen gjerësisht si një nga përparimet më të rëndësishme në historinë e mjekësisë. Futja e tyre në praktikën klinike gjatë viteve 1940 shënoi një pikë kthese në kontrollin e sëmundjeve infektive dhe që prej atëherë këto barna kanë përmirësuar ndjeshëm shëndetin e njeriut dhe kanë zgjatur jetëgjatësinë.
Sot, rezistenca bakteriale ndaj antibiotikëve është kthyer në një kërcënim global dhe përbën një sfidë të madhe për mjekësinë. Përdorimi i gjerë dhe shpesh i pakontrolluar i antibiotikëve në mjekësi, klinika veterinare dhe bujqësi ka krijuar kushtet ideale për shfaqjen e baktereve rezistente ndaj antibiotikëve.
Megjithatë, ky fenomen është më i vjetër nga sa është menduar më parë. Bakteret kishin tashmë mekanizma rezistence shumë përpara se antibiotikët të zbuloheshin dhe të futeshin në përdorim klinik. Kjo tregon se rezistenca ndaj antibiotikëve është një dukuri shumë më e ndërlikuar, më e përhapur dhe më e lashtë në evolucionin e jetës sesa mendohej fillimisht.
Studime të ndryshme kanë dokumentuar mekanizma të rezistencës ndaj antibiotikëve te mikroorganizma të izoluar nga habitate natyrore, ku ndikimi njerëzor është minimal ose i pakët. Këto mjedise përfshijnë shtresat e thella nën tokë dhe fundin e oqeanit, si dhe mjedise të lashta si shpella e izoluara dhe permafrosti (tokë e ngrirë përgjithmonë).
Interesante është se shumë prej mekanizmave të rezistencës të përshkruar në këto mjedise të paprekura, që datojnë mijëra apo edhe miliona vite më parë, janë të ngjashëm, madje identikë me ata që vërehen te bakteret patogjene të sotme. Kjo sugjeron se ruajtja dhe transmetimi i mekanizmave të rezistencës përgjatë evolucionit ofron një avantazh për mbijetesë.
Të mbijetosh në akull
Gjenet e rezistencës të zbuluara në mostra të marra nga permafrosti 30,000 vjet më parë ngjasojnë shumë me ato që gjenden sot. Këto shtame (lloje bakteriale) ishin po aq rezistente sa ato moderne ndaj antibiotikëve të tipit β-laktam, tetraciklinave dhe vankomicinës.
Shtame të llojit stafilokok rezistent ndaj aminoglikozideve dhe β-laktamëve janë izoluar gjithashtu nga mostra permafrosti të vjetra 3.5 milionë vjet.
Ka edhe shembuj më të vjetër, si shpella Lechuguilla në New Mexico, SHBA, një mjedis që mendohet se ka qenë i izoluar për 4 milionë vjet. Megjithatë, një studim i vitit 2016 zbuloi bakteret Streptomyces dhe Paenibacillus në këtë shpellë që ishin rezistente ndaj shumicës së antibiotikëve të përdorur sot në praktikën klinike.
“Staphylococcus aureus rezistent ndaj meticilinës” (i njohur si MRSA) është emri i plotë i një bakterie shumë rezistente që shkakton infeksione serioze. Një studim i vitit 2022 arriti në përfundimin se disa shtame të tij ishin rezistente shumë kohë përpara përdorimit të kësaj klase antibiotikësh, ishte përshtatja e tyre ndaj iriqëve të infektuar nga kërpudha prodhuese antibiotikësh ajo që u dha atyre një avantazh për mbijetesë.
Një garë armatimesh për të mbijetuar
Kërkimet kanë zbuluar se konkurrenca për burime dhe përshtatja ndaj habitateve të ndryshme ishin faktorë kyç në evolucionin e rezistencës ndaj antibiotikëve.
Në mjedise parafarmaceutike, antibiotikët natyralë jo vetëm që kishin rol ekologjik për të frenuar rritjen e konkurrentëve, por gjithashtu ndihmonin mbijetesën e specieve që i prodhonin. Për më tepër, sasi shumë të vogla antibiotikësh vepronin si molekula komunikimi, duke ndikuar në ndërveprimet dhe ekuilibrin e komuniteteve mikrobike.
Ky mjedis dinamik favorizoi evolucionin e strategjive mbrojtëse te mikroorganizmat që ekspozoheshin ndaj antibiotikëve, qofshin ato prodhuese ose bashkëjetuese. Kjo, nga ana tjetër, shtyu përpara diversifikimin dhe përhapjen e mekanizmave të rezistencës ndër vite.
Megjithatë, prania e këtyre mekanizmave në mjedise të izoluara dhe që i paraprijnë epokës së antibiotikëve, ngre pyetje mbi mënyrën se si ka lindur dhe është përhapur rezistenca gjatë evolucionit mikrobik. Studimi i këtyre proceseve është thelbësor për të kuptuar ndikimin e tyre në krizën aktuale të rezistencës ndaj antibiotikëve.
Të shikosh përpara duke parë pas
Tani mendohet se gjenet e rezistencës ndaj antibiotikëve mund të jenë transmetuar fillimisht nga mikroorganizmat mjedisorë tek mikrobet komensale të njeriut (ato që jetojnë në trup pa shkaktuar dëm), dhe pastaj te patogjenët. Ky proces i transferimit nga mjedisi në organizmat njerëzorë është i rastësishëm: sa më i përhapur të jetë një mekanizëm rezistence në natyrë, aq më i mundshëm është transferimi i tij.
Rezervuarët e rezistencës në mjedis mund të përshpejtojnë evolucionin bakterial drejt rezistencës ndaj shumë barnave kur ka presion nga përdorimi i antibiotikëve. Prandaj është thelbësore të merret parasysh larmia e madhe e këtyre gjeneve të rezistencës brenda popullatave mikrobike gjatë zhvillimit apo zbatimit të strategjive të reja për të luftuar rezistencën ndaj antibiotikëve.
Siç ka thënë Winston Churchill: “Sa më gjatë mund të shikosh pas, aq më larg mund të shikosh përpara.” Kjo thënie nënvizon rëndësinë e studimit të së kaluarës për të kuptuar dhe parashikuar rreziqet e së ardhmes. Kërkimi mbi rezistencën e lashtë nuk na jep vetëm informacion mbi historinë evolucionare të gjeneve të rezistencës, por gjithashtu na ndihmon të parashikojmë se si ato mund të evoluojnë në të ardhmen.
Ky njohuri na jep mundësinë të parashikojmë mekanizmat e mundshëm të rezistencës dhe përmirëson aftësinë tonë për t’u përballur me sfidat e ardhshme në luftën kundër rezistencës ndaj antibiotikëve.