Nga: Dr.Sc.Shukrije Rama
Mendoni për një çast: një shtëpi pa libra. Pa rafte që ruajnë histori, pa faqe libri që mbajnë aromën e kohës. Asnjë shenjë lapsi, asnjë faqe libri e grisur padashje, asnjë rresht i nënvizuar apo shkarravitje në cep që dëshmon një mendim të shpërqendruar. Shtëpi vetëm me mure të lëmuara, të ndriçuara nga drita e ftohtë e ekraneve. Shtëpi e bukur? Ndoshta – por e ftohtë. Shtëpi e rregullt pa dyshim – por me kujtime të fshira.
Një shtëpi pa libra nuk është veçse një galeri dekori e përkohshme. Mund të ketë rafte të ngarkuara me “dekore” të blera në ndonjë treg dizajni, por asnjë prej tyre nuk e ruan atë njollën e kafesë që na u derdh mbi faqe libri, kur humbeshim në rreshta gjatë leximit. Po, ato dekore mund të jenë elegante… derisa të vjetrohen dhe të përfundojnë në hedhurina. E njëjta ndjesi vlen edhe për shumë pajisje digjitale – praktike, por pa histori. Pa shenja jete.
A mund të imagjinoni një shtëpi pa librat që na japin kujtime? Pa ato faqe të zverdhura nga koha, që mbajnë aromën e fëmijërisë? Pa titujt që u trashëguan nga brezi në brez? Libri fizik nuk është vetëm një objekt. Është kujtim. Është përvojë. Është dëshmi e heshtur e një jete të lexuar. Kur e zhvendosim të gjithë këtë në një ekran – çfarë mbetet? Po, e-book është i lehtë, i menjëhershëm, por nuk të thotë: “Kujto kur e lexove këtë?” Leximi digjital është një realitet i domosdoshëm për shumë prej nesh – i përshtatshëm për ritmin modern. Dhe nuk ka asgjë të keqe në këtë. Por një shtëpi që braktis librin fizik, është një shtëpi që i ka kthyer shpinën kujtesës. Nëse e-book është prakticiteti, libri fizik është përvoja.
Nëse njëri të ofron mijëra tituj në një klikim, tjetri të jep vetëm një titull – por atë e ndien me të gjitha shqisat. Sepse nuk është vetëm përmbajtja që ka rëndësi, por mënyra si e përjetojmë atë. Të kthesh faqet me dorë. Të ndalesh në një rresht. Të bësh një shënim me laps anash. Këto janë përjetime që nuk riprodhohen në ekran. Librat fizikë mbajnë në vete aromën e leximit, ritmin e mendimit, emocionin që nuk ka përkthim teknologjik. Shtëpia me libra ka shpirt. Ka zëra të heshtur që flasin nga çdo raft. Ka gjurmë të lexuesve që kanë kaluar andej – që kanë qeshur, qarë, reflektuar.
E-book? I domosdoshëm, po. Por jo zëvendësues. Sepse një shtëpi pa libra është thjesht një ambient i bukur, por i zbrazët. Pa zë. Pa kujtesë. Pa shpirt. Jo, s’jemi kundër e-book. Por po – jemi për të mos harruar librin fizik: kujtimin që mbetet, mikun që s’të lë vetëm, shpirtin që rri në çdo faqe të kthyer me dorë.