Ballina Opinion Shteti ka rënë!

Shteti ka rënë!

0
9

Nga Beti Njuma 

Nëse bizneset kanë paguar tarifën për shfrytëzimin e hapësirave publike, një tarifë që bashkia e nxjerr pas matjeve dhe miratimeve që ajo vetë kryen, atëherë nuk ka faj ai që ka vënë gardhe! E kur këto hapësira prishen nga Inspektorati, faji nuk mund të bjerë mbi qytetarët. Nuk mund të fajësohet ai që ka vepruar sipas ligjit, sipas lejes dhe pagesës që i është kërkuar.

Nëse shteti ka marrë para për një hapësirë dhe më pas shkon dhe e prish me aksione, atëherë nuk kemi të bëjmë më me një shtet ligjor.

Nëse, nga ana tjetër, ato hapësira janë ngritur pa leje atëherë kemi të bëjmë me një tjetër skandal: me shkelje të hapur dhe të vazhdueshme të detyrës nga ana e atyre që paguhen për të kontrolluar.

Çfarë bëjnë çdo ditë IMT-të, policët bashkiakë, inspektorët e zyrave të urbanistikës, të territorit, të taksave? A janë aty vetëm për të marrë një rrogë mujore dhe për të vënë gjoba sipas qejfit? Pse ka ndërtime pa leje në qendër të qyteteve apo lagje dhe vetëm në korrik, kur vërshojnë turistët, kryeministri kujtohet të veprojë me rruspa?

Ka dhe një rast tjetër më të hidhur: kur lejet dhe hapësirat blihen me rryshfet. Në këtë rast nuk kemi thjesht mungesë kontrolli, por një sistem të tërë të kalbur, ky sytë mbyllen përballë lekut.

A nuk është më mirë që KM Rama të shpallë me dekret një “politikë të re urbanistike”? T’i shkrijë të gjitha IKMT-të, IMT-të dhe policitë bashkiake dhe të bëjë një xhiro një herë në vit, kur t’i teket, që të prishë ndërtimet pa leje? Kështu, të paktën, do të kursejmë rrogat e një administrate që shkel ligjin ose s’bën asgjë! Do kursejmë edhe qytetarët nga shfaqjet e shpifura që i rezervohen në pikë të vapës!

Ky nuk është shtet. Ky është një teatër i turpshëm. Dhe po, shteti ka rënë, jo sot por çdo ditë që lejon këtë rrumpallhane!