Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është takuar gjatë ditës së sotme me deputetë të Bundestagut gjerman. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook Berisha shkruan se vizita e tyre në Tiranë është një dëshmi e vëmendjes së madhe të Qeverisë Gjermane dhe të kancelarit Merz në drejtim të zgjerimit evropian drejt Shqipërisë dhe Ballkanit perëndimor Lideri i opozitës thekson se gjatë takimit folën për zgjedhjet e 11 majit 2025, përdorimin e të gjitha burimeve shtetërore nga qeveria në fushatë, duke rikthyer kohërat e dikurshme të partisë-shtet.
Postimi i Berishës:
Kënaqësi të prisja në një takim deputetët gjermanë, Tilman Kuban, anëtar i Komisionit për Çështjet e BE-së- dhe Zëdhënës për Çështjet Evropiane i Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag- si edhe Dr. David Preisendanz, anëtar i Komisionit për Çështjet e BE-së.
Vizita e tyre në Tiranë është një dëshmi e vëmendjes së madhe të Qeverisë Gjermane dhe të kancelarit Merz në drejtim të zgjerimit evropian drejt Shqipërisë dhe Ballkanit perëndimor. Misionet faktmbledhëse të Bundestagut, në rajon dhe në Shqipëri, në vlerësimin tim kanë qenë të mirëpritura dhe shumë të dobishme.
Gjatë takimit shkëmbyem detaje mbi farsën elektorale të 11 majit 2025, përdorimin e të gjitha burimeve shtetërore nga qeveria në fushatë, duke rikthyer kohërat e dikurshme të partisë-shtet.
Dy deputetëve të nderuar gjermanë u përshkrova modelin autoritar të regjimit, dhe se si Edi Rama ka ndërtuar të parin dhe te vetmin narkoshtet në Europë, që prej ardhjes së tij në pushtet në vitin 2013. Kartelet shqiptare kanë arritur tanimë të kthehen, falë tij, në organizatat kryesore të kontrollit të trafiqeve nga Amerika Latine dhe Lindja, e deri në portet kryesore të Europës. Një realitet i kriminalizuar dhe i korruptuar është në bazë të eksodit masiv të shqiptarëve, që varfërohen dita ditës që të forcohet narko-shteti i Ramës.
Pa ndryshuar ky model, Shqipëria nuk do të jetë kurrë në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme.
Në përmbyllje, e mirëprita mundësinë e organizimit të një misioni fakt-mbledhës nga Bundestagu gjerman, duke rikujtuar që gjetjet dhe dokumentat e Parlamentit gjerman mbi Shqipërinë në vitet e shkuara kanë qenë gjithmonë tejet të sakta dhe baza solide për raporte edhe më të qenësishëm.