Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka zhvilluar darkë pune me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, në rezidencën e ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.
“Në përgatitjet për mbajtjen e Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit i cili do të zhvillohet në tetorin e këtij viti në Londër, kryeministri theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe rëndësinë e njohjes reciproke të diplomave dhe lëvizjes së lirë, si jetike për suksesin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planin e Rritjes”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Sipas njoftimit, ata diskutuan mbi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe mundësitë për zgjerim të bashkëpunimit duke përfshirë fusha të ndryshme, nga industria kreative dhe diplomacia deri te mbrojtja e siguria.
Qeveria e Britanisë së Madhe pret një samit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Londër më 22 tetor për të promovuar bashkëpunimin rajonal dhe ofruar siguri dhe rritje.
Procesi i Berlinit është një platformë ndërkombëtare që bashkon qeveritë e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me partnerë të tjerë evropianë.
Qëllimi i tij është të rrisë bashkëpunimin rajonal, të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të përshpejtojë përpjekjet e saj për një përafrim më të ngushtë evropian në Ballkanin Perëndimor.