Sudani vijon të përfshihet nga një prej krizave më të mëdha humanitare në botë, ndërsa luftimet mes ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) janë intensifikuar në javët e fundit.
Sipas aktivistëve vendas dhe grupeve për të drejtat e njeriut, gati 300 civilë janë vrarë në shtetin e Kordofanit të Veriut gjatë sulmeve të filluara të shtunën nga RSF, shkruan Guardian.
Grupi “Avokatët e Emergjencës” raportoi se forcat e RSF-së sulmuan disa fshatra pranë qytetit të Barës, të cilin e kontrollojnë paraushtarakët. Në fshatin Shag Alnom u vranë mbi 200 persona, ndërsa në Hilat Hamid u raportuan 46 viktima – përfshirë gra shtatzëna dhe fëmijë. Në fshatra të tjera, sulmet me karakter plaçkitës shkaktuan vdekjen e 38 civilëve dhe dhjetëra persona rezultojnë të zhdukur.
Organizata thotë se fshatrat e goditura nuk kishin asnjë objektiv ushtarak, çka e bën masakrën një shkelje të qartë të të drejtës ndërkombëtare humanitare. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, ende nuk ka asnjë përgjegjësi të vendosur, ndonëse udhëheqësit e RSF-së kanë deklaruar se do të nxjerrin para drejtësisë autorët e këtyre krimeve.
Sipas OKB-së, mbi 3,400 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm nga këto sulme të fundit në Kordofanin e Veriut.
Përshkallëzimi i dhunës ka prekur edhe El Fasherin, kryeqytetin e Darfurit të Veriut dhe qytetin e fundit të madh në rajon që mbetet nën kontrollin e ushtrisë. Më 11 korrik, RSF-ja pushtoi një treg bagëtish, një burg dhe një bazë ushtarake, duke hyrë përkohësisht në qendër të qytetit. Ushtria reagoi dhe e shtyu prapa RSF-në, por sulmet nga ajri me dronë kanë vazhduar.
Dhjetëra mijëra njerëz janë detyruar të largohen drejt zonës së afërt të Tawilës, ndërsa El Fasher përjeton një krizë ekstreme të ushqimit, ujit dhe shërbimeve mjekësore.
Një raport nga Médecins Sans Frontières publikuar në fillim të korrikut dokumenton dhunë sistematike ndaj civilëve në këtë qytet, duke përfshirë vrasje masive, plaçkitje, përdhunime, rrëmbime dhe sulme ndaj spitaleve dhe infrastrukturës jetësore.
Lufta civile, e cila nisi në prill të vitit 2023, ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve, ndërsa mbi 12 milionë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. OKB ka paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet më tej për shkak të sezonit të shirave që pritet të zgjasë deri në tetor – duke rritur rrezikun për përmbytje, mungesë ndihme dhe shpërthime të sëmundjeve si kolera.
SHBA-të dhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë akuzuar RSF-në për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, ndërsa reagimi humanitar global ka qenë i vonuar për shkak të uljes së ndihmës ndërkombëtare.