35 drejtues të njësive administrative të katër bashkive të Qarkut Dibër kanë paraqitur dorëheqjen këtë të martë.
Korrenspondenti i Report Tv në Dibër, Mahir Jangulli, mëson se një ditë më parë, kryetarët e Bashkive Dibër, Bulqizë, Mat e Klos kanë zhvilluar mbledhje me të gjithë adminstratorët ku u kanë komunikuar atyre urdhërin e Kryeministrit Rama për shkarkimin e të gjithë administratorëve që kanë mbi 3 vite në këtë detyrë.
Në Bashkinë Dibër janë 15 administratorë që kanë dhënë dorëheqjen, në Bulqizë 8 administratorë, në Mat 8 administrator dhe në Klos 4 administratorë.
Po ashtu, këtë të martë kanë paraqitur dorëheqjen edhe zv/kryetarët e bashkive.
Në Bashkinë Mat është paraqitur dorëheqja e një zv/kryetari, po aq edhe në Klos.
Ndërsa në Bulqizë e Dibër janë dorëhequr 4 zv/kryetarë, respektivisht nga dy për secilën bashki.
Largimi nga detyra nëpërmjet detyrimit të dhënies së dorëheqjes bëhet për të shmangur pasojat ekonomike që mund të vijnë nëse administratorët padisin në gjykatë pushtetin vendor. Sakaq, dorëheqje ju është kërkuar edhe drejtorëve të drejtorive të cilët pritet t’i paraqesin në një moment të dytë.