Një 57-vjeçar i cili organizonte lojëra fati, nëpërmjet celularit, në ambientet e lokalit që administronte ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit.
Ndërkohë kanë nisur hetimet për klientin 30-vjeçar i cili tentoi të largohej në momentin e ndërhyrjes nga Policia.
Gjatë kontrolleve të kryera në lokalin në Rrugën e Elbasanit efektivët informojnë se sekuestruan një një armë e ftohtë që e posedonte 57-vjeçari, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga lojërat e fatit dhe 2 celularë me aplikacione për baste sportive.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të kontrolleve të pandërprera, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, kanë konstatuar në Rrugën e Elbasanit, një lokal, në të cilin ushtrohej aktiviteti i lojërave të fatit online, nëpërmjet celularit.
Për këtë rast u arrestua shtetasi S. I., 57 vjeç, administratori i lokalit, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. H., 30 vjeç, klient i lokalit”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.