Ballina Aktualitet Pas shumë abuzimeve në media, AMA dhe Inspektorati firmosin marrëveshje për sigurinë...

Pas shumë abuzimeve në media, AMA dhe Inspektorati firmosin marrëveshje për sigurinë në punë

17
0

Autoriteti i Mediave Audiovizive në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore kanë organizuar sot një tryezë bashkëbisedimi, mbi kushtet aktuale të punës dhe krijimin e një mjedisi të sigurt, profesional, të drejtë dhe dinjitoz për të gjithë punonjësit e medias audiovizive.

Kjo tryezë është organizuar si aktiviteti i parë, i parashikuar në planin e punës, të miratuar nga të dy institucionet, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes AMA-s dhe Inspektoratit të Punës.

Në tryezë merrnin pjesë përfaqësues të industrisë mediatike audiovizive, gazetarë dhe shoqëri civile.
“Sot sektori i medias në përgjithësi dhe ai audioviziv në veçanti, përballet me sfida të shumta, ka thënë në fjalën e hapjes, Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.

“Përveç sfidave që ka sjellë zhvillimi i teknologjisë e kam fjalën edhe për një sërë problematikash, ndoshta të trashëguara nga e shkuara, që kërkojnë vëmendjen tonë dhe që lidhen me mungesën e garancive të mjaftueshmë për kushtet e punës se gazetarëve”.

Edhe pse AMA nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta mbi marrëdhëniet e punës së punonjësve të medias audiovizive, shpesh ka marrë sinjalizime nga vetë gazetarët apo organizata të shoqërisë civile për problematika të tilla, si mungesa e kontratave, informaliteti, vonesat në pagesa apo mungesa e sigurimeve shoqërore.

“Të gjitha këto problematika i kemi adresuar dhe ndjekur, por kemi menduar të shkojmë edhe më tej. Pak muaj më parë nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi me Inspektoratin e Punës, që për të dy institucionet tona përfaqëson një risi: Hodhëm një hap konkret bashkëpunimi, që synon të adresojë këto shqetësime në mënyrë institucionale, të koordinuar dhe me përkushtim”, ka shtuar Krasniqi.

Marrëveshja me Inspektoratin bazohet në një qasje bashkëpunuese, ku secili institucion kontribuon brenda kufijve të kompetencave të veta, por me një objektiv të përbashkët, respektimin e standardeve të punës dhe dinjitetit njerëzor në ambientin mediatik audioviziv. Në kuadër të këtij bashkëpunimi ka qenë edhe organizimi i tryezës së sotme, me të cilën është hedhur një hap i parë që synon të çojë në një nivel më të lartë standardin e medias audiovizive, ligjshmërinë e funksionalitetit të saj, por edhe në një nivel të ri, në kontekstin e integrimit evropian.

Ndërsa kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës, Eljo Muçaj, theksoi rolin e Inspektoratit në kontrollin dhe mbikëqyrjen e kushteve të punës për gazetarët dhe punonjësit e tjerë të medias, si pjesë e angazhimit për të garantuar një ambient pune të sigurt dhe dinjitoz.

Ai prezantoi gjithashtu qasjen moderne të institucionit përmes inspektimeve të bazuara në analizën e riskut dhe përdorimin e sistemit inteligjent MIRA – Matrica e Inteligjencës dhe Analizës së Riskut, i cili, sipas Muçajt, ka rritur ndjeshëm eficiencën dhe objektivitetin në procesin e inspektimit, përfshirë edhe sektorin e medias gjatë vitit të fundit.

Ai deklaroi se gjatë periudhës 2024-2025, Inspektorati ka kryer 135 kontrolle në subjekte mediatike, duke theksuar se ankesat e dërguara pranë ketij institucioni kanë të bëjnë kryesisht me mospagim apo vonesat në paga, kontributet e papaguara të sigurimeve shëndetësore, mospagesat e orëve shtesë, mosrespektim i procedurave të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës etj.

Punimet e tryezës kanë vazhduar më tej me problematikat e adresuara nga vetë gazetarët, mbi realitete që ata i ndeshin çdo ditë gjatë punës së tyre.