Ballina Aktualitet Rrjedhje e sekretit shtetëror, korrupsion dhe…/ SPAK mbyll hetimet, dërgon për gjykim...

Rrjedhje e sekretit shtetëror, korrupsion dhe…/ SPAK mbyll hetimet, dërgon për gjykim ish-deputetin Çyrbja, Altin Hajrin dhe Ahmet Mashën

52
0

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për një rast të rëndë të rrjedhjes së informacionit sekret dhe korrupsionit zgjedhor, duke dërguar për gjykim dosjen ndaj tre të pandehurve: Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri.

Në qendër të këtij procedimi është ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, i cili akuzohet për rrjedhje të përsëritura sekretesh shtetërore, përkrahje të autorëve të krimit dhe korrupsion aktiv në zgjedhje. SPAK thotë se gjatë periudhës 2020–2021, Çyrbja ka nxjerrë informacione të ndjeshme të sistemit TIMS dhe të Policisë së Shtetit për persona në kërkim, të cilat janë transmetuar më tej përmes platformave të enkriptuara “Sky ECC” dhe “Matrix”.

Sipas SPAK, ish-deputeti kishte lidhje të ngushta me të pandehurin Altin Hajri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, të cilit i ka ofruar ndikim te institucionet e drejtësisë në këmbim të mbështetjes elektorale, një marrëveshje që përbën korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje.

Ndërkohë, Ahmet Masha akuzohet se ka bashkëpunuar me Çyrbjan në rrjedhjen e sekreteve shtetërore dhe përkrahjen e autorëve të krimeve në mars të vitit 2021.

Sipas të dhënave të mbledhura, tre të pandehurit kanë bashkëvepruar në të paktën tetë episode gjatë periudhës maj 2020 – mars 2021, duke dekonspiruar operacione të policisë për kapjen e personave të kërkuar, përmes rrjedhjes së informacioneve sekrete. Këto të dhëna kanë ndihmuar të kërkuarit të shmangin ndalimin.

SPAK konfirmon gjithashtu se gjatë hetimeve janë analizuar komunikime të shumta nga platformat e enkriptuara, si dhe janë marrë në ndihmë nga autoritetet e drejtësisë së Francës, Holandës, Belgjikës, Eurojust dhe Europol.