Ballina Ekonomia Shifrat: 100 milionë lekë arkëtime nga qiratë e pasurive të sekuestruara

Shifrat: 100 milionë lekë arkëtime nga qiratë e pasurive të sekuestruara

19
0

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka shënuar një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga qiradhënia në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, duke reflektuar një përmirësim të mëtejshëm në menaxhimin aktiv të pasurive në administrim.

Gjatë periudhës janar–qershor 2025, të ardhurat nga qiratë kapën vlerën totale prej rreth 100.4 milionë lekë, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit 2024, kjo shifër ishte 58.4 milionë lekë. Kjo përkthehet në një rritje prej 71.7% krahasuar me vitin e kaluar.

Të dhënat tregojnë një trend të qëndrueshëm rritjeje përgjatë gjithë periudhës janar–qershor 2025. Në të gjashtë muajt e analizuar, të ardhurat e këtij viti kanë qenë dukshëm më të larta se në të njëjtët muaj të vitit 2024.

Muaji mars 2025 ka shënuar rritjen më të lartë mujore, me të ardhura 153% më të larta krahasuar me marsin 2024 (nga 7.7 milionë në 19.5 milionë lekë). Edhe janari, shkurti dhe qershori kanë shfaqur rritje të ndjeshme me mesatarisht 80% më shumë.

Kjo performancë tregon për një menaxhim më efektiv të pasurive shtetërore nën administrimin e AAPSK-së, me ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat publike, si edhe përdorimin e këtyre të ardhurave për rritjen e kapaciteteve të agjencive ligjzbatuese, si edhe në funksion të fuqizimit të komuniteteve.