Vexhi Buharaja lindi në Veterrik të Beratit në 1919, në një familje të shtresës së mesme qytetare. I ati ishte hoxhë në zonën e Beratit, edhe Vexhiu ndoqi rrugën fetare. Në 1933-1943 studioi në Medresenë e Tiranës, ku mori formim fetar. Pas mbarimit të Medresesë, në janar të 1944, filloi punë si nëpunës pranë zyrës së Vakëfit në Berat. Vexhiu kishte formim të mirë kulturor, fliste dhe shkruante mirë shqipen dhe disa gjuhë të huaja, si frëngjisht, anglisht, italisht, arabisht, persisht, turqisht dhe osmanishten e vjetër, etj.
Sipas dosjes formulare nr. 2191/5200 të Sigurimit të Shtetit për Vexhi Buhananë, “gjatë regjimit zogist nuk u mor me çështje politike. As gjatë luftës, fillimisht nuk pati ndonjë angazhim të tij, por nga 1944, nisi të shoqërohej me anëtarë të Ballit Kombëtar dhe vetë do të anëtarësohej në Rininë e Ballit Kombëtar të Beratit. Me futjen e forcave partizane në Berat, u arrestua nga forcat e Korpusit të dytë dhe qëndroi në burg për katër muaj”.
Vexhi Buharaja u arrestua sërish në 1947. Sipas biografisë së përgatitur nga Sigurimi, arsyet e arrestimit të tij ishin se: “Mbasë çlirimit, të njëjtin qëndrim armiqësorë mbanë, urren Pushtetin Popullor, preket nga reforma agrare dhe në këtë kohë hidhet në aktivitet kundërshtarë, për të cilin në vitin 1947 – arrestohet dhe dënohet me 8 vjet privim lirie që për gjithë aktivitetin e tija ky pasqyrohet në proces-verbalin e mbajtur kundra tij”.
Më 5 dhjetor 1947, Vexhiu merret në pyetje nga Seksioni i Sigurimit të Shtetit i qytetit Berat. Dëshmia e tij përpara hetuesisë kishte të bënte me lidhjet me Namik Meqemen e anëtarë të Ballit Kombëtar gjatë luftës dhe me aktivitetin e tij pas lufte, që konsiderohej armiqësor ndaj regjimit komunist.
Përpara hetuesisë, Vexhiu e pranonte lidhjen me Namik Meqemen që e konsideronte lidhje kulturore dhe që kishte mbajtur fjalim me rastin e vdekjes së Jashar Cakranit në mars 1944. Pjesa më e rëndësishme e dëshmisë përpara hetuesisë kishte të bënte me aktivitetin e Vexhiut pas lufte, ku ai pranonte “fajësinë e tij” si kundërshtar i regjimit dhe shoqërimin e tij me elementë antikomunistë. Ja si shprehej Vexhi Buharaja në dëshminë e tij:
“Në majin e dyzet e gjashtës ja fillova aktivitetit të urrej Pushtetin e sotshëm, mbasi u preka nga reforma agrare dhe mbeta pa ndonjë punë nëpunsi ja fillova të hedh parulla dhe të shoqënohem me elementë kundërshtarë të këtij Pushteti e tue biseduar me ta se ky Pushtet nuk ësht i mirë.….Unë kam biseduar rreth situatës politike dhe për të mbledhur ndihmë për familjet e t’ ekzekutuarve nga Pushteti i sotshëm si për familjen e Namik Meqemes dhe të tjerë”.
Pjesa tjetër e dëshmisë vijonte me bisedat e kryera të Vexhiut kundër pushtetit komunist dhe si në të gjitha rastet e të dënuarve nga pushteti, mbyllej me pranimin e fajit nga Vexhiu, i cili shprehej sipas dokumentit të Sigurimit, se: “Për sa thashë më lart, mbasi m’u kënduan me zë të lartë i firmosa me firmën t’ime, e ndjej vehten t’ime se jam fajtor kundra Pushtetit dhe këtë kërkoj mëshirë nga Pushteti dhe gjyqi i sotëm”.
Vexhi Buharaja u dënua në 1947 me 8 vjet burg, me punë të detyruar në kënetën e Maliqit, mes mijëra të tjerëve. Përfitoi nga amnistia në 1950 dhe iu fal pjesa e dënimit të mbetur.
Edhe pas daljes nga burgu, Vexhi Buharaja u vu në vëzhgim nga Sigurimi, si element kundër pushtetit komunist. Në një dokument sekret të Sigurimit të 20/12/1966 thuhet se: “Për të kaluarën dhe të tashmen të keqe, Vexhiu më datën 20/IV/1951 është marrë në përpunim nga organet e Sigurimit të Shtetit duke e regjistuar në 2/B”.
Që nga ’51 ai vihet në vrojtimin e Sigurimit dhe ndiqet gjithë aktiviteti i tij se me kë takohet, çfarë bisedon ose cilët janë elementët me të cilët shoqërohet. Në një raport të 25/10/1952 jepen biseda të Vexhi Buharasë dhe dalin përpjekjet për rekrutimin e tij nga Sigurimi, por ai nuk kishte pranuar duke thënë gjatë bisedës “se unë nukë punojë kurrë dhe kurrë mos thashtë Zoti që të marrë në qaf’ vëllaznit e mijë që t‘i denoncoj dhe t’ja japë Sigurimit, kurrë jo, edhe sikur të më pushkatojnë”.
Në relacionet sekrete të Sigurimit jepen disa nga raportet që kishin përgatitur bashkëpunëtorët e Sigurimit kundrejt Vexhiut. Raportet datojnë që nga 1952 dhe japin informata për zgjedhjen e Vexhi Buharasë si sekretar i myftisë, për bisedën e Vexhiut me myftinë në lidhje me krizën ekonomike në Berat, për simpatinë e Vexhiut për Turqinë, etj… Informatat e nxjerra nga organet e Sigurimit gjatë ndjekjes disavjeçare së Vexhi Buharasë në dokumentin sekret të 20//12/1966, do të konsideroheshin të tilla që ndjekja e mëtejshme e tij nuk paraqiste interes operativ. Këtë vit do të vendosej ndalimi i ndjekjes dhe përpunimit të Vexhi Buharasë.
Por në 1977, Vexhi Buharaja do të rimerrej në kontroll operativ pas porosive si element kundërshtar, për veprimtari armiqësore të zhvilluar në formën e agjitacionit dhe propagandës. Pas marrjes së tij në kontroll operativ në datën 8.6.1977 në kategorinë 2/B si element kundërshtar, do të vendoseshin masat e poshtme agjenturalo-operative:
1-Do të shikohet mundësia e drejtimit të b.p “Lules” i cili është në një lagje me Vexhiun, do t’i jepen detyra në drejtim të tij, me qëllim: për të mësuar dhe patur në kontroll atë.
2- Do të mësohet shtëpia e Vexhiut, rrethi shoqëror i tij, si në vendin e punës dhe në vendbanim, nëpërmjet agjenturës dhe vijës së masave, për ta përdorur për çdo situatë operative.
3- Do të studiohet agjentura aktive e zonës dhe ajo e arshivuar, me qëllim për të gjetur ndonjë bp nga lidhjet e tija, për ta drejtuar në drejtim të Vexhiut.
Vexhiu do të vihej në vëzhgim nga tre bashkëpunëtorët e Sigurimit, “Lulia”, “Fshati”, “Vigjilenti” dhe çdo bisedë e takim i Vexhiut me ta, ose me elementë të tjerë të konsideruar kundërshtarë, i transmetohej Sigurimit. Nga një raport i datës 13.10.1977, “Lulia” informon se ishte takuar me Vexhinë dhe gjatë bisedës me të, ai kishte shfaqur pakënaqësi për trajtimin që i është bërë dhe i bëhet, pasi nuk i jepnin punën që i takonte dhe i përshtatej aftësisë së tij.
Ditët e sotme, një pjesë e raportimeve mund të gjykohen deri në kufijtë e qesharakes, aq sa një raport i datës 12.2.1978 informonte se Vexhiu i kundërvihej vijës së Partisë në drejtim të modës, pasi kishte thënë se: “Që sot berberët nuk i qethin njerëzit sipas gustos dhe kërkesave të tyre duke i lënë favoritet e gjata, se kanë frikë nga qeveria, por kotë e kanë këta të qeverisë, se floku i gjatë dhe favoriti nuk është në modë ato janë gustot e njerëzve dhe e zbukurojnë..”.
Për aktivitetin e Vexhiut duhet të mblidheshin materiale të tjera mbi të për të hedhur dritë mbi aktivitetin armiqësor të tij dhe për të konkluduar nëse do të ngjitej në kategorinë 2/A të survejimit, si kundërshtar i regjimit. Ndjekja dhe vëzhgimi nga tre bashkëpunëtorët e Sigurimit vijoi. Informatat e transmetuara Sigurimit kishin të bënin me pikëpamjet e tij fetare dhe takimet me elementë të tjerë, të konsideruar kundërshtarë.
Që nga 1967, Shqipëria e ndaloi besimin fetar, duke u shndërruar në shtetin e parë ateist në botë. Informatat mbi Vexhiun tregojnë se ai dhe të tjerë nuk ndaluan së besuari. Bashkëpunëtori “Fshati”, në një informatë njoftonte se Vexhi Buharaja ishte takuar me miq dhe ishte përshëndetur me ta duke u uruar ditën e Bajramit. Sipas tij, kjo tregonte që ka njerëz që besojnë fenë dhe e përhapin atë në libra. Edhe informatat e tjera kryesisht ndaleshin te shprehja e pikëpamjeve fetare të Vexhiut.
Një informatë e bashkëpunëtorit “Vigjilenti” e datës 13.7.1980 njoftonte se: “Vexhiu zhvillon propagandë armiqësore në drejtim të vijës politike të Partisë për unitetin dhe të drejtat e studimit”.
Nuk mungonin as të dhënat e rreme nga bashkëpunëtorët e Sigurimit, e faktuar në një procesverbal të datës 25.7.1980, ku vendoset fshirja e një të dhëne mbi Vexhi Buharanë, pasi ishte vërtetuar se bashkëpunëtori “Luftëtari” ishte gënjeshtar.
Vexhiu do të mbahej në kontroll dhe në vëzhgim deri në ditët e fundit të jetës, në kategorinë 2/B, për agjitacion e propagandë ndaj shtetit. Të dhënat e dala do të konsideroheshin shprehje të shkëputura, prandaj nuk do të konkludohej për t’u marrë në kontroll 2/A.
Dosja u mbyll në 1987, pas vdekjes së tij.
Dosja formulare nr. 5200 për Vexhi Brahim Buharanë është deklasifikuar më 25.07.2018 nga AIDSSH. Të interesuarit mund të njihen me materialet, në përputhje me ligjin 45/2015.
***
Shkrimtari, përkthyesi, orientalisti Vexhi Buharaja, veç shkrimeve dhe studimeve vetjake, ka kontribut të spikatur sa i përket akteve dhe memorandumeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të Rilindjes Kombëtare Shqiptare e më gjerë. Përveç dokumenteve historike, përktheu veprat shkencore të Hasan Tahsinit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e poetit të madh pers, Firdeusit, përmbledhjen poetike “Tahajjulat” (“Ëndërrimet”) dhe “Katër stinët” të Naim Frashërit dhe veprën “Gjylistani dhe Bostani” të Saadi Shirazit. Një pjesë e mirë e përkthimeve u bënë pa përdorur emrin e tij, duke u tjetërsuar si vepra intelektuale.
Në fillimvitet ’90, Vexhi Buharaja u nderua me titujt “Mësues i Popullit” (pas vdekjes) dhe Qytetar Nderi. Sot, medreseja dhe biblioteka e qytetit të Beratit mbajnë emrin e tij. Kontributi i Buharasë është përmendur në disa monografi dhe është njohur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Më poshtë një pjesë nga “Gjylistani dhe Bostani” e Saadi Shirazit, përkthyer nga Buharaja:
“-Nga e mësove mirësjelljen?!- i thanë dikur Lukmanit.
-Nga ata që janë të pasjellshëm- u përgjegj ai.
Kur shikoja se çfarëdo vepër që bënin ata ishte e shëmtuar në syt’e mi, hiqja dorë prej saj dhe nuk e bëja.”
Burimi: Autoriteti i Dosjeve