Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK, për javë me radhë shqyrtuan të gjitha denoncimet që lidhen me krimet zgjedhore.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, gjatë një interviste për Klan News, bëri një vlerësim të bashkëpunimit të institucionit që ai drejton me dy institucionet e tjera të drejtësisë.
“Një eksperiencë e suksesshme, edhe pse kam konstatuar që për një pjesë të politikës, ky bashkëpunim nuk ka marrë vlerësimin që në gjykimin tim do duhej ta merrte”, tha ai.
Kryekomisioneri Celibashi tregoi numrin e procedimeve penale për të cilat ka një hetim dhe tipologjitë e krimeve që janë konstatuar më shumë.
“Janë rreth 139 procedime penale, të cilat janë trajtuar ose janë në proces trajtimi nga SPAK. Denoncimet lidhen kryesisht me presionin ndaj administratës publike, përdorimin e aseteve publike, shitblerjen e votës”, theksoi ai.
Celibashi sugjeroi se bashkëpunimi me të tre institucionet duhet të formalizohet në ligj.
“Kjo eksperiencë duhet të shtrihet dhe në zgjedhjet e ardhshme, dhe ndoshta mund të ketë nevojë që kjo formë e bashkëpunimit të jetë e formalizuar dhe në ligj, të jetë më e institucionalizuar”, shtoi ai.
Rregullat e garës duhet të ndryshojnë, sipas drejtuesit të KQZ, edhe për administratën publike.
“Duhet të vendosen disa limite të sjelljes së përfaqësuesve të administratës publike, duke filluar nga niveli më i lartë, kryeministri, ministri etj.”, nënvizoi Celibashi.
Për rezultate konkrete, kryekomisioneri Celibashi tha se do të duhet kohë deri në përfundimin e hetimeve nga institucionet ligjzbatuese.