Ballina Dossier Kush i ndërtoi “Kodrat e Liqenit” në Tiranë?

Kush i ndërtoi “Kodrat e Liqenit” në Tiranë?

0
28

Nga Kreshnik Kuçaj

Në nëntorin e vitit 1951, zëvëndëskryeministri Hysni Kapo firmos një urdhër që i jep jetë ngritjes së një komisioni të posaçëm që do të studionte mundësinë që në Tiranë të ngrihej një park i madh me sipërfaqe totale prej 700 hektarësh.

Pas këtij urdhëri, Komisioni i drejtuar nga inxhinieri Gaqo Tashko u mblodh në vigjilje të festimeve të 39 vjetorit të Pavarësisë për të formuar 3 nënkomisione:

Nënkomisioni për Parkun Kultural, Nënkomisioni për Parkun Botanik dhe Natyral si dhe Nënkomisioni për Parkun Zoologjik.

Nënkomisionet do të drejtoheshin nga arkitektë sovjetikë e bullgarë ndërsa në përbërje do të kishin arkitektë e inxhinierë shqiptarë.

Por vetëm në vitin 1953 do të arrihej në një projekt konkret që parashikonte detajimin se si do të ishte Parku i Madh i Tiranës.

Projekti i hartuar në fakt arriti të marrë vetëm miratimin paraprak të autoriteteve, por e vetmja gjë që nisi të ndërtohej ishte Liqeni Artificial dhe mbjellja masive e pemëve, shpeshherë pa plan konkret pasi plani nuk ishte miratuar si plan përfundimtar.

Të dhënat zyrtare të kohës dëshmojnë se deri në vitin 1953 ishin mbjellë rreth 250 mijë rrënjë pemë jo frutore.

Projekti i vitit 1955 për Parkun e Madh të Tiranës

Në vitin 1955, komisioni për ngritjen e Parkut të Madh të Tiranës do të mblidhej sërish në drejtimin e inxhinierit Gaqo Tashko dhe në përbërje të të cilit ishin arkitektë e urbanistë të njohur të kohës si Gani Strazimiri, Kol Paparisto, Ibrahim Sina etj, për të miratuar projekt-idenë e planit rregullues të Parkut të Madh të Tiranës.

Projekt ideja përmbante dy variante, me pak ndryshime nga njëri tjetri.

Por ajo që bie në sy në të dy variantet, ishte kufizimi i sipërfaqes së parashikuar të Parkut të Madh.

Nga 700 hektarë që ishte planifikuar në fillim, në planin e 1955 sipërfaqja u reduktua në 250 hektarë.

Me projektin e vitit 1955, llogaritej që parku të mundësonte një sipërfaqe 16.5 metër katror për banor; një përllogaritje që bazohej në një popullsi rezidentë në kryeqytet prej 150 mijë banorësh.

Projekti i vitit 1965 për Liqenin Artificial të Tiranës

Realizimi i projektit do të shtyhej në kohë dhe do të rikthehej sërish për diskutim në vitin 1965 kur do të hartohej një projekt i posaçëm për zgjerimin e mëtejshëm të Liqenit Artificial.

Kjo nënkuptonte nevojën për ngritjen e një dige të re dhe përmbytjen e digës së mëparshme si rrjedhojë e rritjes së  nivelit të ujit.

Referuar projektit të ri, diga e Liqenit Artificial të Tiranës, pjesë e Parkut të Madh, do të rritej nga 116.5 metra në 117.3 metra. Si pasojë, diga e mëparshme do të mbytej.

Ndërkohë parashikohej që nga njëra anë Liqeni Artificial të furnizohej nga Lumi i Erzenit dhe nga ana tjetër, të shërbente për furnizimin e Kombinatit të Tekstilit në kryeqytet, përmes dy tubacioneve.

Pas hartimit të projektit, nisën edhe ndërtimet përkatëse ku gjatë punimeve u ndalua me ligj larja në liqen.

Fushatat për mbjelljen e pemëve

Për mbjelljen e pemëve në parkun e Tiranës u mobilizuan të gjitha institucionet e vendit. Për secilin institucion ishte caktuar një parcelë e veçantë që do të mbillej me pemë.

Universitetit Shtetëror iu caktua mbjellja e 24 mijë fidanëve, Ndërmarrjes “21 dhjetori” 19 mijë fidanëve apo Garnizonit të Tiranës që iu caktuan 14 mijë fidanë.

Numrin më të madh të fidanëve për t’u mbjellë ia caktuan Politeknikumit 7 nëntori, me 28 mijë fidanë.

Përgjatë periudhës së krijimit të tij, parku u mboll kryesisht me akacie, plep kanadez, pishë të egër dhe të butë, lis, frashër, eukaliptus etj dhe një serë varietetesh shkurresh.

Parku i Madh i Tiranës, që u njoh ndryshe edhe si Kodrat e Liqenit në Tiranë, u bë shumë shpejt një vend i frekuentuar masivisht.

Projekti Çarçani, projekti i fundit komunist për liqenin e Tiranës, 1990

Në vitin 1989, qeveria e drejtuar nga Adil Çarcani miratoi planin e ri rregullues të Tiranës, duke përfshirë disa projekte që në fakt gjetën zbatim në periudhën postkomuniste.

Një vit më vonë, në 1990, pas Planit të Tiranës u diskutua edhe plani për Parkun e Madh të kryeqytetit. Parku kishte arritur një sipërfaqe prej 256 hektarësh dhe përbënte një nga qendrat më të frekuentuara të kryeqytetit për shëtitje, argëtim e pushim.

Projekti i vitit 1990 parashikonte zgjerimin e investimeve në park në pjesën e Saukut si dhe zgjerimin e shëtitores deri në zonën ku parashikohej të ndërtohej në të ardhmen Unaza e Re e Jashtme e Tiranës, që ishte parashikuar në planin e ri rregullues të qytetit.

Po ashtu, projekti parashikonte ndërtimin në Liqenin Artificial, të dy ishujve brenda tij.

Sipas këtij plani, parku do të ndahej në dy zona; në zonën e pushimit aktiv të organizuar dhe në zonën e pushimit të lirë. Pra, parashikohej ndërtimi i ambienteve të përshtatshme për stërvitje dhe aktivitet sportiv dhe pjesa tjetër për pushim e lexim.

Në park parashikohej ngritja e objekteve social-kulturore si 1 ose 2  hotele e restorante turistike me kapacitet 50-60 vende fjetje, 2-3 bufe-restorante e pastiçeri masive me kapacitet 200-300 vende secili, 1 kinoteatër i ri veror me 1000 vende, mjedise leximi në natyrë, plazh e nënstacione varkash në bregun e liqenit, pishina të hapura, sheshe me lojëra të ndryshme të shpërndara në të gjithë parkun.

Po ashtu, ky plan parashikonte ngritjen e kampeve të pionerëve dhe 1 ose 2 shtëpi pushimi për 15 ditëshin e pushimeve që merrnin punonjësit.

Por trazirat që pasuan vendin në vitin pasues do të bënin që një pjesë e mirë e këtij projekti të mos gjente zbatim menjëherë, ashtu sikurse edhe Parku i Madh do të dëmtohej nga ndërtimet e paligjshme dhe shpyllëzimet.