Ministrja e Punës dhe Sigurimeve Shoqërore në Kubë, Marta Elena Feitó-Cabrera, ka dhënë dorëheqjen pas reagimeve të forta që pasuan deklaratat e saj në parlament, ku mohoi ekzistencën e lypësve në vend dhe i cilësoi ata që kërkojnë në mbeturina si njerëz që “duan para të lehta”.
Komentet u kritikuan gjerësisht nga qytetarë, aktivistë dhe intelektualë, duke u cilësuar si të pandjeshme dhe të shkëputura nga realiteti i krizës ekonomike që po kalon Kuba. Presidenti Miguel Díaz-Canel reagoi gjithashtu, duke paralajmëruar se udhëheqja duhet të qëndrojë pranë popullit dhe të mos veprojë me përbuzje.
Dorëheqja e saj u pranua nga Partia Komuniste dhe qeveria kubaneze, në një moment kur varfëria dhe mungesa e ushqimeve janë përkeqësuar ndjeshëm në ishull.