I njohur si kryebashkiaku opozitar që ka marrëdhënie të mira me Kryeministrin Rama, Hil Curri nuk ka vendosur të çojë në vend porosinë e kreut të qeverisë, që edhe në Bashkinë e Fushë Arrëzit ku ai drejton të shkarkojë nënkryetarët dhe administratorët.
Curri thotë se nuk e ka menduar fare largimin e administratorëve dhe nënkryetarëve, teksa shton se është i kënaqur me performancën e tyre. Kryebashkiaku Curri thotë se në zonen e tij mbeten problem burimet njerëzore, çfarë e bën të pamundur zëvendësimin.
“Nënkryetarët dhe administratorët janë të lëvizshëm, por unë deri tani nuk kam ndonjë konstatim që puna e tyre nuk ka qenë e duhura. Ishte një porosi e përgjithshme nga Rama, por jo të gjitha bashkitë kishin të njëjtin problem dhe ne si bashki nuk e kemi këtë problem” – pohon Curri.
I pyetur për marrëdhëniet e mira me Ramën, prej të cilave, siç duket, ka përfituar edhe fonde, Hil Curri thotë se qëllimi i tij është t’u shërbejë banorëve dhe për t’ia arritur kësaj, duhet edhe bashkëpunim me qeverinë.
“Rama është kryeministri i vendit, pavarësisht bindjeve politike. Pushteti vendor e ka për detyrë të bashkëpunojë dhe t’u shërbesh banorëve arrihet vetëm përmes bashkëpunimit” – thotë Hil Curri.
Kryebashkiaku i Fushë Arrëzit shprehet se me shumë se porosi për lëvizje në administrate, shpreson te mbështetja e qeverisë për dhënien e lejeve për parqet elike dhe ato foltovoltaike për kompanitë e interesuara, çfarë do t’i hapte rrugë zhvillimit të bashkisë që ai drejton në veri të Shqipërisë, duke siguruar vende pune, zbutur varfërinë dhe krijuar të ardhura për bashkinë.