Ballina Aktualitet FNSH ‘blindon’ Sarandën, ja çfarë po ndodh

FNSH ‘blindon’ Sarandën, ja çfarë po ndodh

14
0

Një armë zjarri tip pistoletë, e futur në një çantë krahu, është gjetur nga policia e Sarandës në vendin ku sot në drekë u plagosën dy të rinj nga Kamza.

Burime bëjne me dije se arma dyshohet se i përket njërit prej dy të plagosurve, Ernest Lama 24 vjec dhe Gëzim Hoxhaj, 32 vjec.

Policia po heton lidhje të mundshme të plagosjes, edhe me ngjarje të tjera të ndodhura në Sarandë, ndërkohë qe bashkë me FNSH po kryejnë kontrolle të shumta në qytet.

Mësohet se në vendin e ngjarjes janë gjetur 4 gëzhoja të shkrepura nga arma e autorit, të cilën e ka marrë me vete.

Për ngjarjen në kërkim janë Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, 42 vjec dhe vëllai tij Erjon Canaj, 35 vjec, nga Saranda, persona me precedentë të rëndë penalë. Burime konfidenciale bëjnë me dije se në ngjarje mund te ketë te tjerë persona të përfshirë, për të cilët po vijojnë hetimet.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e sotme në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë stadiumit të qytetit, ku dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë. Autorët kanë disa precedentë të veprave kriminale.

Ramadan Zoto, në prill 2005 ka ekzekutuar në Athinë 51-vjeçarin Pushkin Kuspa, për arsye hakmarrje. Më 31 janar 2008 në tentativë për t’u kapur, shkëmbeu zjarr me policinë greke, por u arrestua në fund të shkurtit 2008. Rezulton edhe me precedentë edhe për grabitje me armë në Greqi.

Gjendja e të plagosurve vazhdon të mbetet e rëndë, teksa ata janë duke u mjekuar në Spitalin e Traumës në Tiranë pas transportit me helikopter nga Spitali Sarandës.