Ballina Lifestyle Rita Ora: Në fund të të njëzetave u ndjeva e shëmtuar, sepse...

Rita Ora: Në fund të të njëzetave u ndjeva e shëmtuar, sepse nuk isha aq e dobët sa të tjerët

0
13

Këngëtarja shqiptaro-britanike Rita Ora, 34 vjeç, ka rrëfyer së fundmi se në fund të të njëzetave të saj e ka ndier veten “të shëmtuar”, për shkak se nuk ishte aq e dobët sa njerëzit rreth saj.

Në një bisedë të sinqertë për vetëbesimin në trup, gjatë podcast-it “Happy Place” të prezantuar nga Fearne Cotton dhe në bashkëpunim me projektin “Self Esteem” të markës Dove, Rita tregoi për sfidat që ka përjetuar me pranimin e trupit të saj dhe mënyrën se si kjo marrëdhënie ka evoluar gjatë viteve, shkruan DailyMail.

“Për mua, ideja e të dukurit në një formë të caktuar filloi të më rëndonte në fund të të njëzetave. Fillova të kisha më pak energji, nuk kujdesesha për trupin tim, sëmuresha shpesh dhe nuk ndihesha mirë me pamjen time”, tha Rita.

“Dhe nuk e pranoja faktin që ‘nuk jam aq e dobët sa këta të tjerët – prandaj jam e shëmtuar’. Tani që e kujtoj, kjo është shumë e trishtueshme, sepse e di që nuk ishte e vërtetë”.

“Është si kur në terapi përballesh me versionin më të ri të vetes dhe e kupton që ajo vajzë ishte vërtet e bukur”.

Në një postim në Instagram të mërkurën, Rita ndau një klip nga intervista dhe shkroi: “U ula me @Dove dhe @HappyPlaceOfficial për të ndarë arsyen pse besoj që vetëbesimi në trup fillon me kujdesin për veten – duke u fokusuar te ajo që i nevojitet trupit tënd, jo te pamja e tij”.

“Jam krenare që jam pjesë e projektit Dove Self Esteem me #Why2k – së bashku po rishkruajmë rregullat dhe po ndihmojmë gratë të ndërtojnë vetëbesimin e tyre”.

Këto deklarata vijnë pasi Rita e shfrytëzoi në maksimum udhëtimin e saj në Nju Jork, duke spikatur me një garderobë të mrekullueshme dizajnerësh gjatë qëndrimit atje. Ajo ishte në qytet për të performuar në një koncert falas në Brooklyn Bridge Park, dhe për një javë të tërë, trotuaret e qytetit i ktheu në pasarelën e saj personale.

Të dielën në mbrëmje, Rita veshi një shall karakteristik të markës Pucci (me vlerë 400 funte), të kombinuar me një fund të ngushtë dhe çizme kaubojsi. Më herët gjatë ditës, ajo ishte parë me pantallona rozë me printe të njëjta të Pucci (750 funte), një bluzë të lirshme dhe aksesorë të theksuar.

Të hënën, Rita u shfaq me një minifund gri dhe xhaketë elegante, gjatë intervistave për shtyp dhe promovim në qytet. Ajo e plotësoi pamjen me një bluzë me mbishkrimin “Thashethemet janë të vërteta” dhe çorape të verdha të ndritshme që sillnin ngjyra në veshjen e saj.

Po atë mbrëmje, ajo doli me një pamje më të guximshme – pantallona shumë të shkurtra (hotpants) dhe një korsetë provokuese, që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Rita e mori me vete edhe “një copëz shtëpie” duke shkuar në stadiumin MetLife në New Jersey për të mbështetur ekipin e saj të zemrës, Chelsea. Sipas fotografeve të saj, ajo u quajt “fatsjellësja njerëzore” e ekipit, pasi Chelsea fitoi 3-0 ndaj Paris Saint-Germain në FIFA Club World Cup 2025.

Rita ka dhënë intervista edhe në emisionin radiofonik Elvis Duran and the Morning Show, ku u pyet për miqësinë e saj me këngëtarin e ndjerë Liam Payne. Ajo tha se ende mendon për të, dhe kjo e ndihmon të mbajë të gjallë kujtimin e tij, pas vdekjes së tij tragjike në Argjentinë në fund të vitit të kaluar.

Kur u pyet nëse do të ndjekë “Building the Band”, seriali i fundit në të cilin Liam mori pjesë dhe që u përfundua pak para vdekjes së tij, Rita u tregua emocionale. Katër episodet e para të këtij emisioni tashmë janë transmetuar në Netflix, ndërsa tre episodet e fundit pritet të publikohen më 16 korrik.