Nga Neli Demi
Një njeri nuk lind i korruptuar. Dhe në shumicën e rasteve, as nuk hyn në jetë me idenë për të mashtruar, për të vjedhur, për të shitur ndërgjegjen. Njeriu korruptohet. Ngadalë. Pa zhurmë. Shpesh pa e kuptuar.
E kam pyetur veten shumë herë: Çfarë ndodh në shpirtin e një njeriu deri sa të arrijë të pranojë të bëhet pjesë e një sistemi që përdor, abuzon, blen e shet gjithçka përfshirë dinjitetin?
Kam dëgjuar përgjigje që shkojnë nga fatalizmi (“në këtë vend kështu bëhet”) deri te cinizmi (“budalla është ai që nuk përfiton”). Por në punën time si psikiatër e psikoterapist, e di që nuk më mjaftojnë përgjigjet e gatshme dhe sipërfaqsore. Më intereson rrëshqitja. Ajo që ndodh brenda njeriut para se ai të marrë ryshfetin, të bëjë pazarin, të heshtë kur duhet të flasë.
Fillon me një boshllëk
Në rrënjë të çdo shkarjeje morale, zakonisht qëndron një boshllëk personal: mungesa e vetëvlerësimit, frika nga mungesa, ndjenja e pavlerësisë që mbulohet me fasadë. Ka njerëz që, për shumë arsye historike, sociale, emocionale, nuk ndihen kurrë mjaftueshëm. Dhe kur u jepet një mundësi, kërkojnë ta mbushin atë boshllëk me çfarëdo forme pushteti apo pasurie.
Por pushteti nuk e shëron boshllëkun. E ushqen. E bën më të uritur dhe më të të egër. Dhe njeriu nis të bëjë atë që nuk do ta kishte imagjinuar kurrë më parë. Jo nga ligësia, por nga pangopësia që lind nga zbrazëtia.
Pastaj vjen justifikimi
Njeriu nuk e pranon dot lehtë që po bën diçka të gabuar. Kështu që ndërton histori për ta bërë të durueshme:
• “Të tjerët janë më keq se unë.”
• “Unë s’po marr shumë, vetëm pak.”
• “E bëj për familjen.”
• “Po nuk e bëra unë, do ta bëjë dikush tjetër.”
Dhe kështu, me një dorë të ndihmuar nga sistemi dhe me tjetrën nga vetëgënjeshtra, fillon një lloj narkoze morale. Njeriu ndalon së ndjeri faj. Dhe kur nuk ndjen më faj, çdo gjë lejohet.
Rreth e rrotull ka një sistem që e bën të lehtë të korruptohesh
Ka vende ku ndershmëria është një barrë. Ku të qenët korrekt nuk të jep forcë, por të lë mënjanë. Në një sistem të tillë korrupsioni nuk është devijim por normë, e keqja nuk fshihet por shtiret si zgjuarsi dhe e keqja nuk është frikë por strategji.
Në këtë realitet, një njeri që futet me idealizëm nis ta ndjejë veten “budalla”. Dhe kur përballesh me zgjedhjen mes mbijetesës dhe etikës, shumë zgjedhin të mbijetojnë. Me koston që nuk dallohet menjëherë: humbja e vetvetes.
Korrupsioni nuk është vetëm moral. Është edhe psikologjik
E kam parë në terapinë me njerëz që kanë qenë pjesë e sistemit: nën lëkurën e një jete “të suksesshme”, ka shpesh turp të pashprehur, fëmijëri të mohuar, zemërim të pazbuluar, dhe një vetmi që as paratë, as pushteti nuk e shërojnë.
Sepse njeriu që korrupton veten, nuk i beson më askujt. As vetes!!! Çdo marrëdhënie bëhet pazar. Çdo ndjenjë bëhet kalkulim dhe çdo ideal një kujtim naiv i rinisë.
E megjithatë…
Nuk është e pashmangshme. Njeriu mund të qëndrojë. Mund të thotë jo. Por për këtë, duhet një ushtrim i përditshëm i ndershmërisë me veten. Duhet të pranosh boshllëqet e tua pa i mbushur me fasada. Të jetosh jo për atë që të sjell leverdi, por për atë që të ruan njerëzinë.
Kam parë njerëz që kanë qëndruar. Edhe pse i kanë përçmuar, tallur, ndëshkuar. Ata janë të rrallë. Por janë të domosdoshëm. Sepse pa njerëz të tillë, një shoqëri nuk ka shpresë.
Korrupsioni nuk fillon me para. Fillon me një zgjedhje të brendshme për të mos u përballur me veten.
Dhe ndershmëria nuk është cilësi. Është një vendim i përditshëm për të mos e shitur shpirtin për një vend në tryezën e të fortëve.