Ballina Lifestyle Bashkëshorti i Rita Orës, Taika Waititi, rikthehet në botën e komikëve me...

Bashkëshorti i Rita Orës, Taika Waititi, rikthehet në botën e komikëve me filmin e ri për Judge Dredd

9
0

Pas suksesit me “Thor: Ragnarok”, regjisori i njohur, Taika Waititi, do të sjellë në ekran një tjetër figurë ikonike nga komikët britanikë: superpolicin e rreptë Judge Dredd.

Projekti i ri, i cili është ende në fazat e hershme të zhvillimit, do të bazohet më shumë në materialin origjinal të komikut legjendar “2000 AD”, dhe jo në filmat e mëparshëm.

Skenari do të shkruhet nga Drew Pearce, i njohur për “The Fall Guy” dhe “Mission: Impossible – Rogue Nation”.

Pearce dhe Waititi, të cilët janë miq të vjetër dhe fansa të hershëm të komikëve, kanë dashur prej kohësh të punojnë së bashku në një projekt të tillë.

Judge Dredd, i krijuar në fund të viteve të 70-ta nga John Wagner dhe Carlos Ezquerra, është një gjyqtar i së ardhmes në qytetin distopik Mega-City One, ku vepron njëkohësisht si polic, jurist dhe ekzekutues.

Ai është kthyer në një simbol të kulturës pop, me një trashëgimi që përfshin histori të panumërta, lojëra, libra dhe produkte të tjera mediatike.

Filmi i ri synon të sjellë një version më argëtues, me humor të zi dhe një botë të ndërtuar me kujdes, me synimin për të hapur një univers të ri filmik për Dredd.

Në një intervistë të fundit, Waititi foli hapur për përvojën e tij me Marvel, duke rrëfyer se nuk kishte qenë i apasionuar pas komikëve të “Thor” dhe se fillimisht e kishte pranuar punën për arsye praktike.

“Nuk ishte pjesë e ëndrrës sime si regjisor, por sapo më kishte lindur fëmija i dytë dhe kisha nevojë për punë”, u shpreh ai me humor.