Sipas të dhënave të fundit të INSTAT për periudhën janar-qershor 2025, shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e Bashkimit Europian përbëjnë 55,9% të totalit të tregtisë së jashtme.
Konkretisht, eksportet drejt BE-së zënë 67,2% të eksporteve gjithsej, ndërsa importet nga vendet e BE-së përbëjnë 52,2% të importeve totale.
Partnerët kryesorë tregtarë në këtë periudhë janë Italia me 27,1%, Kina me 9,1%, Greqia me 7,6% dhe Turqia me 7,1%.
Në muajin qershor 2025, raporti i INSTAT tregon se eksportet drejt vendeve të BE-së përbënin 67,4% të totalit të eksporteve, ndërsa importet nga BE-ja ishin 50,7% të importeve. Partnerët më të rëndësishëm në këtë muaj ishin Italia (26,5%), Kina (11,4%), Greqia (7,3%) dhe Gjermania (7,0%).
Në total, gjatë gjashtëmujorit, eksportet e mallrave arritën vlerën 203 miliardë lekë, me një rritje prej 2,1% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa importet u ulën me 2%, duke arritur në 431 miliardë lekë.
Eksportet në qershor arritën vlerën 35 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 1,9% në raport me qershorin 2024 dhe 0,6% më shumë se muaji maj 2025. Importet, nga ana tjetër, ishin 77 miliardë lekë, me një ulje prej 0,2% në krahasim me qershorin e vitit të kaluar dhe 1,5% më pak se muaji maj.
Ky raport tregon se vendet e BE-së mbeten partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, duke pasur një ndikim të fortë në zhvillimin ekonomik të vendit.