Fluksi i lartë i pushuesve përgjatë bregdetit të Durrësit, midis të tjerave sa i takon sigurisë së tyre, është edhe problematika e humbjes së orientimit të fëmijëve kundrejt prindërve të tyre.
Vija e gjatë bregdetare e ndërthurur me fluksin e lartë të pushuesve, por edhe çadrave që në zona të caktuara janë identike në pamje, janë premisa që çorientojnë të vegjëlit, të cilët në një moment mund të mos gjejnë rrugën e duhur drejt çadrave të prindërve të tyre duke humbur orientimin.
Për këtë arsye, një patrullë e posaçme e Policisë Bashkiake të Durrësit është angazhuar pikërisht me këtë problematikë, humbjen e orientimit të fëmijëve përgjatë vijës bregdetare.
Një polic bashkiak tregon për A2 edhe procedurën që kryejnë në bashkëpunim me shërbimet e tjera në raste kur njoftohen ose gjejnë fëmijë të humbur.
Pavarësisht angazhimit të shërbimeve policore, kujdesi prindëror është kryesori në shmangien e rasteve të tilla.
Plazhi është një vend relaksi, por që kërkon edhe vigjilencë dhe përgjegjësi, sidomos kur bëhet fjalë për më të vegjlit.