Ballina Aktualitet Patagonia bën thirrje për veprime të menjëhershme për Lumin Vjosa, ja çfarë...

Patagonia bën thirrje për veprime të menjëhershme për Lumin Vjosa, ja çfarë e kërcënon Parkun Kombëtar

16
0

Dy vjet pas përcaktimit të tij historik si parku i parë kombëtar i lumit të egër në Evropë në mars të vitit 2023, lumi Vjosa mbetet nën presion të vazhdueshëm nga industritë nxjerrëse, për shkak të zgjerimit të infrastrukturës dhe zhvillimit joetik, duke rrezikuar integritetin ekologjik të parkut dhe vlerën e tij si një rezervë natyrore me rëndësi globale.

Nëse qeveria shqiptare vazhdon t’i injorojë këto presione, Vjosa rrezikon të bëhet një “park letre”, i mbrojtur me ligj, por jo në realitet.

Në të njëjtën kohë, qeveria shqiptare po kërkon statusin e Rezervës së Biosferës nga UNESCO për Luginën e Lumit Vjosë. Megjithatë, nëse nuk ndërmerren veprime për të adresuar kërcënimet serioze të përshkruara më poshtë, renditja si Rezervë Biosfere do të jetë thjesht simbolike, ndërsa mbrojtja e vërtetë në nivel territorial do të mungojë.

Një raport i ri,  Hartimi i Presioneve në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, i dokumenton këto kërcënime në detaje. Vlerësimi, i paraqitur Agjencisë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura  në mars 2025, thekson nevojën urgjente për veprime politike dhe kontroll. Kërcënimet kryesore janë hartëzuar  dhe përmbledhur në një fletë faktesh.

Kërcënimet kryesore të identifikuara

 Nxjerrja e naftës  – Operacionet e naftës të monitoruara dobët kërcënojnë biodiversitetin dhe cilësinë e ujit të Vjosës. Janë dokumentuar derdhje të shpeshta, të cilat ndotin ujin dhe dëmtojnë ekosistemet ujore. Pavarësisht se Plani i Menaxhimit të Parkut Kombëtar i ndalon ato, derdhjet e pakontrolluara të naftës vazhdojnë të jenë një dukuri e rregullt përgjatë brigjeve të lumit.

Nxjerrja dhe përpunimi i bitumit  – Nxjerrja e bitumit në rrjedhën e mesme të lumit shkakton dëme serioze mjedisore. Hedhja e paligjshme e mbeturinave minerare vazhdon të rrezikojë habitatet dhe sistemet ujore. Edhe pse e ndaluar, zbatimi i dobët i ligjit i nxit këto praktika të vazhdojnë.

Uji për bujqësi  – Përdorimi i tepërt i ujit për bujqësi, industri dhe turizëm kontribuon në uljen e rrjedhës së lumenjve, gjë që nga ana tjetër ndikon në ekosistemet ujore dhe komunitetet e poshtme të lumit. Me ndryshimet klimatike që parashikohen të zvogëlojnë disponueshmërinë e ujit në Vjosë me 30% deri në vitin 2050, nxjerrja e parregulluar do të bëhet një kërcënim edhe më i madh.

Nxjerrja e zhavorrit  – Nxjerrja e vazhdueshme e zhavorrit ndryshon hidrologjinë e lumit, shkatërron vendet e shumimit të peshqve dhe destabilizon shtratin e lumit.

Mbeturinat bashkiake dhe ujërat e zeza  – Menaxhimi i dobët i mbeturinave dhe ujërave të zeza ndot lumin, duke rrezikuar jetën e egër dhe shëndetin publik. Stoket e mbeturinave shpesh ndodhen shumë afër lumit, duke rrezikuar kontaminimin gjatë përmbytjeve. Zonat rurale kontribuojnë ndjeshëm në ndotjen nga plastika, dhe ujërat e zeza të patrajtuara shkarkohen direkt në Vjosë.

Përveç këtyre pesë kërcënimeve kryesore, turizmi i tepërt kërcënon integritetin ekologjik të parkut. Ndërsa turizmi i qëndrueshëm është i dëshirueshëm, zgjerimi i shpejtë dhe i planifikuar keq i objekteve paraqet sfida për ruajtjen e habitatit, menaxhimin e vizitorëve dhe qëndrueshmërinë ekologjike.

Veprimet e kërkuara

Shkalla e disa prej këtyre problemeve të ndotjes do të përbënte krime mjedisore edhe jashtë një zone të mbrojtur. Në kontekstin e një parku kombëtar të krijuar së fundmi, këto shkelje janë veçanërisht alarmante dhe kërkojnë veprime urgjente për të ruajtur besueshmërinë e përcaktimit të parkut.

Prandaj, i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që:

Të zbatohen rregullore të rrepta  për të monitoruar dhe parandaluar aktivitetet nxjerrëse dhe ndotëse, të tilla si nxjerrja e bitumit dhe zhavorrit ose derdhjet e naftës.

Detyrimi i kompanive të industrisë nxjerrëse për  të zhvilluar dhe zbatuar projekte të restaurimit mjedisor , në përputhje me parimin “ndotësi paguan”.

Rishikimi/rehabilitimi i vendeve të asgjësimit të mbeturinave komunale  për të parandaluar ndotjen nga plastika. Bashkitë duhet gjithashtu të zhvillojnë dhe zbatojnë masa rehabilitimi për vendet e asgjësimit dhe të forcojnë sistemet e menaxhimit të mbeturinave dhe impiantet e trajtimit të ujit në komunitetet përreth.

Të sigurohet  monitorim i saktë i nxjerrjes së ujit  dhe të punohet  në bashkëpunim me  komunat dhe Ministrinë e Bujqësisë për të parandaluar keqpërdorimin e tij.

Të zbatohet monitorim rigoroz  i zhvillimit të pakontrolluar dhe zgjerimit të objekteve turistike  në zonat ngjitur me parkun kombëtar, pasi ndërhyrje të tilla mund të ndryshojnë ekuilibrat e biodiversitetit dhe të kompromentojnë vlerat e ruajtjes së parkut.

Pse Vjosa është e rëndësishme

Sistemi i lumit Vjosa është shtëpia e mbi 1,100 specieve, duke përfshirë 13 kafshë të kërcënuara globalisht, dhe është një nga lumenjtë e fundit të mëdhenj me rrjedhë të lirë në Evropë. Përcaktimi i tij si Park Kombëtar i Kategorisë II i IUCN-së shënoi një moment historik në ruajtjen ndërkombëtare të lumenjve.

” Ky park është festuar në të gjithë botën, por realiteti në terren tregon një histori tjetër. Pa vullnet të menjëhershëm politik, Vjosa rrezikon të mbrohet vetëm në letër “, tha  Olsi Nika i EcoAlbania.

Rreth Patagonia-s

E themeluar nga Yvon Chouinard në vitin 1973, Patagonia është një kompani veshjesh për aktivitete në natyrë me seli në Ventura, Kaliforni. Një Korporatë e çertifikuar B dhe anëtare themeluese e 1% për Planetin, kompania njihet ndërkombëtarisht për angazhimin e saj të palëkundur për të prodhuar produkte me cilësinë më të lartë, aktivizmin e saj mjedisor dhe për dhurimin e më shumë se 250 milionë dollarëve për grupet e mbrojtjes së mjedisit. Struktura e saj unike bazohet në një aksionar të vetëm: planetin. Fitimet që nuk riinvestohen në biznesin e kompanisë rishpërndahen, në formën e dividentëve, për ta mbrojtur atë.