Ballina Kronika Përplasja për tokën në bregdet, shkak i plagosjes së dyfishtë në Sarandë

Përplasja për tokën në bregdet, shkak i plagosjes së dyfishtë në Sarandë

23
0

Konflikti për zënien e një sipërfaqe toke ështe shkaku i plagosjes së dyfishtë në Sarandë pasditen e së dielës.

Sipas burimeve të Shqiptarja.com, bëhet me dije se dy të plagosurit nga Kamza kishin në posedim një sipërfaqe tokë në Sarandë, përgjatë vijës bregdetare, ngjitur me pronën e dy vëllezërve që akuzohen si autorë të dyshuar të ngjarjes, vëllezërit Ramadan Canaj 43 vjeç dhe Erjon Canaj 35 vjeç.

Të plagosurit Gëzim Hoxhaj 32 vjeç dhe Ernest Lama 24 vjeç, të dy nga Kamza, pretendonin se dy vëllezërit Lama u kishin zënë një pjesë të sipërfaqes së tokës. Ata kishin kërkuar takim për të sqaruar situatën.

Palët u takuan pasditen e djeshme (17 Korrik 2025), por situata doli jashtë kontrollit deri në përdorimin e armëve. Sipas policisë, që kanë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë, njëri nga vëllezërit Canaj qëlloi me armë ndaj dy të rinjve nga Kamza duke i lënë të plagosur. Gëzim Hoxhaj dhe Ernest Lama morën fillmisht mjekim në Spitalin e Sarandës dhe më pas u dërguan për mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Ndërkohë, dy vëllezërit e dyshuar si autorë, u larguan nga vendngjarja dhe janë shpallur në kërkim.

Një tjetër pistë që po hetohet nga uniformat blu lidhet me një konflikt që mendohet të ketë nisur fillimisht mes dy fëmijëve të mitur, dhe më pas ka agravuar duke përfshirë të rriturit, derisa situata ka përfunduar në përdorimin e armës së zjarrit.

Në vendin e ngjarjes policia gjeti edhe një çantë brenda së cilës kishte një pistoletë. Arma nuk është sqaruar ende se kujt i përket. Gjithashtu në vendngjarje u gjetën 4 gëzhoja pistolete.

Ndërkohë, dy vëllezërit Canaj të shpallur në kërkim, janë persona me precedentë të mëparshëm kriminal.

Ramadan Canaj, sipas mediave, ka qenë i dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje dhe aktualisht është në proces gjyqësor në Sarandë për “goditje për shkak të detyrës”. Vëllai i tij, Erjon Canaj në dhjetor 2022 ka dhunuar rojën e spitalit të Sarandës, ndërsa në shkurt 2024 është arrestuar në banesë me 2 pistoleta.