Pas publikimit të një audio-mesazhi kërcënues ndaj kryetarit të “Nisma Thurje”, Endrit Shabanit, një hetim i thjeshtë mbi numrin e telefonit të përdorur ka zbuluar një pistë interesante.
Rezulton se i njëjti numër, vetëm një vit më parë, ishte përdorur për të kërkuar punonjës për një biznes të vogël në lagjen greke të Torontos (Greek Town), në Kanada.
Sipas të dhënave publike dhe verifikimeve në rrjete onnline, ky biznes – “Monopol Cafe”, është në pronësi të vëllezërve Rexhepaj, me origjinë nga Vlora, ndërsa numri i përdorur për të dërguar audio-mesazhet duket se i përket Matjan Rexhepajt. Ndërkaq, një tjetër mesazh i shkruar i është dërguar dajës së Endri Shabanit nga vëllai tjetër, Aranit Rexhepaj, i cili i kërkon atij të tërhiqet, duke e kërcënuar se nuk do ta lërë “të kalojë kaq lehtë.”
Biznesi i tyre, është një kafene e vogël jo me ndonjë xhiro të madhe në lagjen greke të Torontos, ndërsa vëllezërit Rexhepaj njihen më tepër si pronarët e një tjetër biznesi, i cili shërben sufllaqe në po të njëjtën lagje.
Jo vetëm kaq, por të njëjtit vëllezër janë kushërinj me Adriatik Lapajn.
Burime bëjnë me dije se Lapaj është takuar me ta pak kohë përpara zgjedhjeve të 11 majit. Aktualisht nuk ka ende ndonjë reagim zyrtar nga Lapaj mbi këtë çështje. /TEMA/
Në një klimë politike të brishtë dhe me tensione brenda opozitës së re, një detaj i tillë ngre pyetje serioze: a po i kalojnë përplasjet politike kufijtë e fjalës dhe po shndërrohen në presion e kërcënim?