Ballina Aktualitet 500 mijë euro dëm shtetit/ SPAK: Myzyri ndërhyri për të shpallur fitues...

500 mijë euro dëm shtetit/ SPAK: Myzyri ndërhyri për të shpallur fitues ofertuesin më të lartë, si iu dha tenderi…

22
0

SPAK akuzon titullarin e Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri dhe vartësit e tij se kanë ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në vendimmarrje, duke shpallur fitues të tenderit për mirëmbajtjen e rrugës Rreshën-Ura e Repsit bashkimin e operatorëve ekonomikë që kishin paraqitur ofertën më të lartë, duke shkaktuar një dëm prej afro 500 mijë eurosh buxhetit të shtetit.

“Komisioni i Prokurimit Publik nuk ka zbatuar drejt ligjin, pasi me vendimet e tij nuk ka udhëzuar autoritetin kontraktor të korrigjojë shkeljet e mundshme apo të ndalojë sjelljen e jashtëligjshme të saj, por në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndërhyrë duke i diktuar autoritetit kontraktor mënyrën e vlerësimit të operatorëve ekonomikë”, thuhet në dosje.

SPAK shton se gjatë hetimit ka rezultuar se Komisioni i Prokurimit Publik ka diktuar autoritetin kontraktor, në këtë rast Autoritetin Rrugor Shqiptar, që bashkimi i operatorëve ekonomikë Alb Shpresa, Mela dhe Xhast, si dhe operatori ekonomik Jubica, të vlerësohen më pak se bashkimi i operatorëve ekonomikë AEK Munella dhe Drini-1, me qëllim që ky i fundit të renditet me pikë më të lartë dhe të rezultojë fitues.

“Tejkalimi i kompetencave të KPP ka sjellë trajtim të pabarabartë të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës, duke cenuar konkurrencën ndërmjet tyre dhe duke dëmtuar efikasitetin në procedurat e prokurimit publik, si dhe duke shkaktuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën mbi 47 milionë lekë,” theksohet në dosje.

Dëmi i shkaktuar është diferenca mes ofertës së dhënë nga bashkimi i operatorëve ekonomikë Alb Shpresa, Mela dhe Xhast, e cila fillimisht u vlerësua nga autoriteti kontraktor si më e larta me pikë, dhe bashkimit të operatorëve ekonomikë AEK Munella dhe Drini-1, i cili pas rivlerësimit të bërë nga autoriteti kontraktor dhe pas dy vendimeve të njëpasnjëshme të KPP, u rendit me pikë më të larta.

Sipas SPAK, Komisioni i Prokurimit Publik duhet të orientonte autoritetin kontraktor për anulimin e procedurës, me qëllim rihapjen e saj, duke iu dhënë mundësinë operatorëve ekonomikë që të plotësonin kriteret e vendosura prej tij të konkurrojnë.

Jonaid Myzyri është marrë i pandehur bashkë me pesë vartësit e tij për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera dhe është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme.