Të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe 25 të tjerë janë plagosur si pasojë e përmbysjes së një autobusi në një rrugë malore pranë qytetit Kavar, në jug të Iranit, raportojnë mediat shtetërore.
Ngjarja ndodhi rreth 1,000 kilometra larg kryeqytetit Teheran, në një zonë me terren të vështirë dhe rrugë të ngushta, që shpeshherë janë skenë e aksidenteve fatale.
“Fatkeqësisht, janë regjistruar 21 viktima”, deklaroi drejtori i spitalit të qytetit Kavar, Mohsen Afrasiabi, për televizionin shtetëror iranian, duke shtuar se në mesin e të plagosurve ndodhen edhe persona në gjendje kritike për jetën.
Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë, ndërsa autoritetet vendore kanë nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e tragjedisë.
Aksidentet rrugore janë të shpeshta në Iran, shpesh për shkak të kushteve të dobëta të infrastrukturës, mungesës së mirëmbajtjes së automjeteve dhe shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor.