Ballina Opinion Dielli që pengon kullën

Dielli që pengon kullën

12
0

Sonila Meço

Marku na flet gegnisht e mama ime gjysmë shkodrane përlotet prej mallit të të parëve. Ndërsa ata rrëmojnë në kujtimet e fëmijërisë, unë ndërkohë kam gjetur “Shtëpinë e shpirtrave”, “Sagën e Forsajtëve” dhe “Familjet e mëdha” me të gjitha vëllimet, botime të vjetra me përkthim të përsosur në kapicën e librave të përdorur, që Marku shet.

Prej më shumë se një dekade Marku është bërë pjesë e pandashme e rrugëve të Tiranës. Nuk ka patur dyqan, reklamë, vitrinë, adresë instagrami, vetëm një tavolinë të vogël, disa kuti kartoni dhe një univers librash të përdorur, të mbushur me histori, ide, biografi dhe dashuri të harruara. Për shumë nga ne Marku nuk qe shitës, por një kujtesë në ecje se qyteti ende kishte zell për të lexuar.

Marku ka qenë mësues letërsie, ka mbetur i varfër me pensionin qesharak, por kish gjetur një mënyrë të mbajë veten e të na ushqejë kulturalisht, duke shitur libra të vjetër, por cilësorë. Marku më shoqëronte përzgjedhjet me një mësim falas mbi autorët e veprat e tyre.

Në një qytet ku hapësira publike po dergjet në beton, Marku ishte një sumbull e çmuar humane. Aty ku ai qëndronte, ndodhnin takime që nuk mund t’i organizonte asnjë event: një gjimnazist ndriçohej nga “Nata e Ustikës”, një pensionist këmbente “Fausti”-n për “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, një kalimtar i lodhur prehej pak në zhurmën e letrave që era shfletonte. Ishte një stacion i vogël kulture në një qytet që gjithnjë e më pak ndalet për të lexuar.

Por me një urdhër të ftohtë Markun e përzunë nga cepi i tij i vogël i qytetit. Nuk preu ndonjë pemë, nuk bllokoi ndonjë shesh, nuk zhbëri ndonjë park, nuk bllokoi trafikun, thjesht u bë pengesë për estetikën sterile të një Tirane që po mbathet me beton dhe po zhvishet nga njerëzit.

Prej disa ditësh, bordura e një këndi të rrënuar e harruar qyteti nuk stoliset më nga librat e përdorur e as nga shpjegimet erudite të Markut mbi letërsinë botërore.
Sepse aksioni për çlirimin e hapësirave publike ra mbi Markun.

Çfarë hipokrizie!

Tirana është sot një qytet që gjallon me hijen e ndërtimeve se sa me frymën e njerëzve që e banojnë.

Dhe dështimi i Tiranës si projekt urbanistik nuk lidhet thjesht me numrin e kullave apo intensitetin e ndërtimeve. Ai lidhet me shuarjen e qytetit si habitat njerëzor, ku hapësira publike është logu i jetës sociale, ku lëvizshmëria, ajri i pastër, parqet, infrastruktura sociale dhe kohezioni estetik i qytetit përbëjnë gjymtyrët e një trupi të shëndetshëm urban.

Asgjë për bé nga këto nuk është respektuar. Në vend të një qyteti të integruar, kemi përfunduar me një mozaik komercial betoni, ku logjika kryesore që mbijeton është ajo e “lavatriçes” së kapitalit.

Tirana ka humbur shkallët, trotuaret, gjelbërimin, ngjyrat natyrale, hijet, oborret e përbashkëta, rrezet e diellit, përfitimin e afërsisë me detin e malin, rrugicat e jetës spontane. Në vend të tyre ka fituar parkingje private, trafik të çmendur, sheshe sterile pa jetë dhe ndërtime që nuk i përkasin më as klimës, as traditës e as komunitetit që i rrethon. Një qytet monument betoni, por varrmihës për qytetarin.

Sepse hapësira publike nuk është thjesht një rrugë bosh, apo një trotuar i liruar. Ajo është fryma e qytetit, vendi ku ndodh jeta sociale, ku ndeshen shtresat, ku komunikojnë kulturat, ku shfaqet spontaniteti e krijimi. Ajo nuk mund të mbrohet duke larguar shitësin e librave, ndërkohë që i ke hapur rrugë kullës me format e fantazisë së një lideri dhe që zë dritën, rrëmben ajrin dhe shkatërron lirinë vizuale e fizike të banorëve.

Është fyese mënyra sesi ushtrohet pushteti mbi hapësirën publike. Jo si ruajtës i saj, por si pronar kapriçioz që vendos kush e meriton hijen, dhe kush jo.
Qytetari i thjeshtë është i ndëshkuari i madh.

Ai që bën një kafe, shet një libër, mban një karrocë me fruta merr dënimin publik të radhës. Ndërkohë, që ata që lejuan të zaptohet tërësisht ajri dhe horizonti i qyteteve me betonin e lejeve të miratuara në errësirë, me shkelje të hapura të planeve urbanistike dhe me investitorë të padukshëm janë të privilegjuarit e shpërblyer të sistemit.

Ky është paradoksi i Rilindjes Urbane 2.0, një regjim që pretendon se po çliron qytetin nga rrëmujaxhinjtë e vegjël, ndërsa e ka shërbyer pa mëshirë tek rrëmbyesit e mëdhenj.

Ja të arsyetojmë me logjikë: prej nga zhduket hapësira publike, prej një tavoline mbi trotuar, që e gjen në çdo qytet europian, apo nga një kullë mbi park?

Nga një bishë betoni, që ze diellin për gjysmën e qytetit, nga një leje ndërtimi që shkatërron një lulishte, nga një pallat ku ballkoni i fqinjit bie në dritaren e banjos së gjitonit, nga një tender që privatizon një shesh, nga një fshat turistik në zonë të mbrojtur, nga një instalacion absurd hekurishtesh që zë vendin e gjelbërimit, nga dyndja e rrokaqiejve pa rrugë të reja, nga masivet e betonit mbi liqen, nga derdhja e ujrave të zeza të komplekseve të betonit në natyrë të virgjër tek kaltërsitë e Jonit, nga Parku i Edenit në oborrin e Kryeministrisë, nga pluhuri kancerogjen prej kantiereve të ndërtimit, nga kurthet e trotuareve zënë prej hekurishteve rrethuese të ndërtimeve, nga rrugët si malet me gropa prej instalimeve pa plan, nga gungat e rrugicave prej peshës së betoniereve, nga pemët e zëvendësuara me fidanë shterpë, nga trafiku i tmerrshëm prej mungesës së planit urbanistik, nga zhdukja e habitateve natyrore për të blerë zgjedhjet e radhës?

Ky është skandali. Jo çadrat, por paradoksi. Jo tregtarët, por cinizmi. Që në emër të “çlirimit të hapësirës publike”, po na e vrasin hapësirën publike. Dhe tashmë, po na e shesin edhe si vepër të lartë të qytetarisë.

Tani që Marku nuk është më aty, ka më shumë hapësirë në rrugë por më pak frymë në qytet. Ka më shumë beton, por më pak histori. Ka më shumë kontroll, por më pak shpirt.

Sepse nuk ishte Marku që e pengonte Tiranën të zhvillohej, por është Tirana që po zhvillohet duke përjashtuar edhe ata si Marku.

Nuk do jetë e largët dita kur dielli të shpallet fajtor se pengon kullën e jo kulla diellin.

Por ndërkohë Marku nuk është më në cepin e tij për të ndriçuar mendjet e rraskapitura me libra të mençur. Si dielli edhe ai pengon filozofinë e kullave.