Ballina Kronika E rrëmbyen dhe e mbytën me litar, lihen në burg 2 autorët...

E rrëmbyen dhe e mbytën me litar, lihen në burg 2 autorët e vrasjes së Renis Dobrës në Mat

13
0

Fatjon Bushgjokaj dhe Petrit Çakrri, dy autorët e dyshuar të vrasjes së Renis Dobrës në Mat janë lënë në burg. Të dy dolën sot para Gjykatës së Dibrës ku u  njohën me masën arrest me burg. Mësohet se asnjë prej tyre nuk ka pranuar autorësinë e krimit para togave të zeza.

Rolin kryesor në vrasje e ka Fatjon Bushgjokaj me origjinë nga Tropoja dhe një personazh mjaft i njohru për blutë. Më herët ai ka pranuar se 23-vjeçarin e ka njohur më herët në Gjermani, dhe bashkë punuan muaj më parë në trafikun e drogës. Bushgjokaj ka pranuar mes hetuesve se me Dobrën kishin nisur konflikte në biznesin e errët të drogës, por që sipas tij janë sqaruar.

Ndërkohë, para grupit hetimor, në dëshminë e dhënë dy ditë më parë, Petrit Çakrri pranon pjesërisht se mbrëmjen e krimit ka qenë në zonë, dhe dëshmia e tij gjen përputhje me pamjet e kamerave të sigurisë që janë këqyrur dhe zbardhën vrasjen e rëndë.

Çakrri, i njohur edhe si një prej dëshmitarëve kyç të vrasjes së Azem Hajdarit në shtator të 1998-ës, thotë se 3 vëllezërit Bushgjokaj i thanë të shkonte me ta pasi do kërkonin drogë në fshatra të Burrelit. Gjatë rrugës, sipas tij, u ndanë në dy makina, siç në fakt tregojnë edhe pamjet e kamerave në distancë. 55-vjeçari shtoi se në një moment, vëllezërit Bushgjokaj, u futën në një tjetër makinë, që sipas grupit hetimor, mendohet të jetë automjeti i 23-vjeçarit. Në këtë pikë Çakrri ka rrëfyer para hetuesve se Bushgjokajt i thanë të largohej dhe sipas tij kështu bëri. Ai mohoi çdo përfshirje në vrasje, duke deklaruar se çfarë ndodhi me Renis Dobrën më pas e mori vesh vetëm nga mediat.

Renis Dobra u mbyt me litar mbrëmjen e 8 korrikut, pasi fillimisht u mor peng. Trupi i tij u gjet buzë lumit të Shkopetit, ndërsa makina në ujë. Policia zbardhi vrasjen me pamje kamerash, të cilat i çuan te makinat me qira që grupi mori për disa ditë me radhë për kryerjen e krimit. Në kërkim për ngjarjen janë 2 vëllezërit Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj.