Ballina Ekonomia INSTAT: Turizmi në rekordin e rritjes, bujqësia të rënies! Agropërpunimi, hallka që...

INSTAT: Turizmi në rekordin e rritjes, bujqësia të rënies! Agropërpunimi, hallka që mungon

0
22

Shqipëria po thyen rekorde vizitorësh të huaj, ndërsa bujqësia, në anën tjetër, po thyen rekordet e rënies së prodhimit. Mishi i dhisë e djathi i bardhë nuk arrijnë dot në tavolinat e hoteleve, sepse çmimi i paketës turistike duhet të jetë sa më i lirë. Në katër vitet e fundit, vendi ynë është vizituar nga 35 milionë turistë, të cilët kanë ndikuar pozitivisht në konsum. Në anën tjetër, ritmet e rënies së prodhimit janë përshpejtuar me rritjen e turizmit duke hyrë në vitin e pestë të recesionit. Hotelet dhe restorantet po e ndihmojnë, pasi në mungesë të tyre, rënia do të ishte edhe më e madhe. Ekspertët pohojnë se duhet nxitur sektori i agroindustrisë dhe agroturizmi. Ja modelet më efikase

Drita, e cila mbarështon një tufë me rreth 260 krerë dele e dhi jo shumë larg zonave turistike të Shëngjinit dhe Velipojës, ka vështirësi të gjejë treg për prodhimet e saj – mish dhe bulmet.

Mishi me 600 lekë kilogrami peshë e gjallë (1200 lekë gati për konsum) nuk parapëlqehet nga hotelet të cilat furnizohen nga importi me çmim gati 50% më të lirë.

Përpjekjet rezultuan të kota për të siguruar një blerës për të shitur qengjat dhe kecat për mish. Në të njëjtën situatë janë edhe fermat përreth. Blegtorët, që gjithë kohës kujdesen për tufat, nuk mund t’i gjejnë blerësit as me pakicë për shkak të mungesës së informacionit dhe largësisë me zonat urbane.

Nga ana tjetër, Shqipëria është duke përjetuar vitet e arta të popullaritetit në turizëm. Me vizitorë në rritje nga e gjithë bota që kryesisht e pëlqejnë vendin tonë për çmimet e ulëta dhe bukuritë natyrore, qytetet dhe fshatrat e tona tani kanë shumë mundësi të gjenerojnë të ardhura dhe punësim.

Në katër vitet e fundit Shqipëria është vizituar nga 35 milionë turistë, sipas të dhënave zyrtare, të cilët kanë ndikuar në pozitivisht konsum. Në anën tjetër, në prodhimin vendës, sidomos në bujqësi dhe blegtori, janë përshpejtuar rimet e rënies me rritjen e turizmit.

Të dhënat e tremujorit të parë të këtij viti treguan se prodhimi bujqësor pësoi rënie me 2.7%, teksa sektori hyri në vitin e pestë të rënies. Hotelet dhe restorantet po e ndihmojnë, pasi në mungesë të tyre, rënia do të ishte edhe më e madhe.

Fatos Çerenishti, i cili zotëron “FAFA Resort”, një nga strukturat akomoduese më të mëdha në vend, tha se frutat dhe perimet i merr 100% nga vendi, kurse pjesa tjetër e produkteve është import.

Në vend, ai siguron 30% të mishit dhe 70%, nga importi. “Ne ofrojmë paketa ‘all inclusive’ dhe në shumë raste shpesh alternativa që zgjedhim varet edhe nga çmimi, nëse do t’i drejtohemi importit apo vendit”, tha ai.

Hotelet e kontaktuara pohojnë se për furnizimet ushqimore, gjithmonë zgjedhin prodhimin vendës për nivele të njëjta çmimi, por nëse importi është më i lirë, atëherë bëhet alternativë kryesore për furnizim.

Zhvillimet paradoksale të turizmit në rritje dhe bujqësisë në rënie do të vijojnë më tej, sipas Alban Çakallit, fermer i cili po rikthen në jetë trashëgiminë bujqësore duke kultivuar varietete të rralla autoktone nëse nuk zhvillohet sektori i agropërpunimit.

Hotelet konsumojë produkte të përpunuara si djathë, sallam, reçelra, salca, turshi etj., të cilat importohen më së shumti, duke bërë që një pjesë e madhe e fitimeve të hoteleve të dalin sërish jashtë për lëndët e para.

Për Altin Pengën, i cili drejton agroturizmin “Mrizi i Zanave”, bujqësia vendëse mund të ndihmohet nga restorantet dhe hotelet duke zhvilluar receta bazuar në prodhim vendës me natyrë sezonale.

“Tani që është koha e patates së re, ajo duhet të mbizotërojë në menu, e kështu në kohën e vjeljes së qepës, perimeve etj.

Një kuzhinë e bazuar në traditë e strukturon edhe prodhimin vendës”, tha z. Prenga, që bashkë me “Mrizin e Zanave” janë kthyer në një rrjet të edukimit të shërbimeve të agroturizmit të mbështetur në konsumin vendës.

Çmimet e ulëta të paketave turistike kufizojnë kërkesën për prodhim vendës

Prodhuesit dhe njësitë akomoduese argumentojnë se ka mospërputhje mes çmimeve të ulëta të paketave turistike dhe kostove të larta të prodhimeve bujqësore shqiptare.

Çmimet e ulëta të restoranteve dhe hoteleve me çdo gjë të përfshirë kufizojnë kërkesën për prodhime vendëse.

Operatorët turistikë, për të qenë konkurrues në rajon, ofrojnë paketa shumë të lira. Aktualisht, një nga hotelet e mëdha në Durrës po shet një natë me tre vakte në rreth 40 euro për person. Një pjatë kryesore me mish ose peshk është ende më pak se 15 euro.

Kjo i shtyn hotelet dhe restorantet të ulin kostot në maksimum, shpesh duke blerë produkte të importuara më të lira dhe jo ato vendëse, të cilat kanë kosto më të larta për shkak të mungesës së subvencioneve efektive për fermerët. Fragmentimi i lartë i tokës, mekanizimi i ulët, kostot e rritura të karburantit, plehrave dhe inputeve të tjera i bëjnë prodhimet tona më të shtrenjta se importet.

Blegtorja Drita tha se fabrikat e përpunimit i kishin vënë kusht që të mos ofronte çmime më të larta se importi për qumështin (50 lekë kg aktualisht).

Por ajo po i përballon vetë të gjitha kostot, që nga shërbimet veterinare e deri te qiraja e tokave për kullota dhe prodhimin e misrit, teksa tregu i shitjes nuk është i sigurt, me luhatje. Tani rrezikohet tërësisht falimenti nga sëmundja e murtajës, teksa tufat janë në karantinë.

Profili i turistit që viziton Shqipërinë është shpesh buxhetor, me fokus te sasia dhe jo cilësia. Kjo i penalizon prodhimet cilësore shqiptare, sidomos ato të zonave rurale, që mund të ofronin fruta, perime, vaj ulliri, djathë apo verëra artizanale.

Edhe në zonat që ndërthurin turizmin me bujqësinë, mungesa e logjistikës, standardeve të ruajtjes dhe përpunimit, si dhe mungesa e bashkëpunimit mes fermerëve dhe sektorit të hotelerisë, sjellin për pasojë që prodhimi bujqësor të mos përfshihet drejtpërdrejt në ofertën turistike.

Shumë struktura turistike, sidomos në zonat bregdetare, janë në pronësi ose menaxhim të individëve apo kompanive që furnizohen në mënyrë të qëndrueshme nga importi ose rrjete të mbyllura furnizimi, duke shmangur tregun lokal bujqësor.

Për të kapërcyer këtë hendek, fermeri Çakalli tha se nevojitet një politikë kombëtare që forcon lidhjet mes turizmit dhe prodhuesve lokalë duke rritur vlerën e ofertës turistike nëpërmjet promovimit të produkteve vendëse dhe duke u dhënë fermerëve shqiptarë një treg të qëndrueshëm e të drejtë brenda vendit.

Agropërpunimi, hallka që mungon

Pjesa më e madhe e produkteve ushqimore që përdorin hotelet dhe restorantet janë të përpunuara ose gjysmë të përpunuara.

Alban Çakalli, fermer i cili zbaton metoda të avancuara të kultivimit të kulturave autoktone bujqësore, thotë se bujqësia që nuk mbështetet në agropërpunim e ka shumë të vështirë të lidhet me turizmin.

Në muajt e verës, turizmi krijon një kërkesë të lartë për prodhime, sidomos për ato të përpunuara të tilla si salcat e ndryshme, turshi, bulmet, mish, sallame, pije etj., por shumica e këtyre produkteve janë të importuara.

Në vendet fqinje, thotë z. Çakalli, prodhimi nga fusha deri te agropërpunimi përfiton nga taksa shumë më të ulëta në krahasim me ata shqiptarë, si dhe lëndën e parë e sigurojnë me çmime më të lira, pasi fermerët subvencionohen. Kjo i bën ata shumë më konkurrues në treg.

Z. Çakalli thotë se kërkesa për produkte shtazore është e lartë, kryesisht sepse blegtoria në Shqipëri është në krizë të thellë.

Po ashtu, ndonjëherë rritet kërkesa edhe për perime të caktuara, por kjo ndodh për shkak të mungesës së një planifikimi të mirëfilltë të mbjelljeve sipas konsumit. Për pasojë, në periudhat e pikut të sezonit turistik ndodh mbingopje apo mungesë në treg.

Sektori i industrisë përpunuese, ku bën pjesë agroindustria, pësoi rënie vjetore rekord me mbi 7% në tremujorin e parë të vitit 2025.

Vitin e kaluar industria përpunuese pësoi rënie me 6.1%. Përfaqësuesit e sektorit pohojnë se rënia do të vijojë pasi Shqipërisë po i ikin klientët nga rritja e kostove të brendshme dhe rënia e vlerës së Euros, teksa industria e përpunimit të ushqimeve po lidhet pak me hotelet për shkak të kostos së lartë me të cilat del prodhimi në Shqipëri.

P.sh., një kilogram qumësht i importit është barazuar me atë të vendit duke e bërë jokonkurrues për konsumatorin e rrjedhimisht, edhe për hotelet.

Gështenjat, boronicat e Tropojës tani po bëhen gliko dhe reçel nga biznesmeni Ardian Çitozi, i cili në të njëjtën kohë është një nga eksportuesit më të mëdhenj të gështenjës dhe frutave që rriten në gjendje të egër.

Ai tha se aktualisht në të gjitha pikat e pakicës gjen shumëllojshmëri reçelrash të importuar.

Mirëpo për shkak të mungesës së mbështetjes financiare dhe ngarkesës së lartë fiskale, frutat që përpunohen në vend kanë kosto më të lartë se importi.

P.sh., hotelet në të gjithë vendin janë konsumatorë të mëdhenj të reçelit, i cili në një masë të madhe importohet nga Kina, me çmim shumë të lirë, në një kohë që mollët e Korçës kalben. Përpunuesit pohojnë se mungojnë incentivat vendëse që të lidhin bujqësinë me sektorin e turizmit.

Në mungesë të mbështetjes financiare mjafton edhe sensibilizimi ndaj hoteleve dhe restoranteve që të furnizohen me prodhime vendi. Skema e TVSH-së gjithashtu i pengon përpunuesit dhe shitësit e pakicës që të tregtojnë prodhim vendi.

Një dyqan në Tiranë që shet vetëm prodhime organike nga vendi është i rrezikuar në çdo moment, pasi nuk ka ku të shkarkojë TVSH duke qenë se klientët e tij janë prodhues të vegjël dhe shesin pa fatura.

Zhvillimi i agroindustrisë është një hallkë kyçe për një model të qëndrueshëm turizmi në Shqipëri. Pa një bazë prodhuese dhe përpunuese të fortë, turizmi do të mbetet i varur nga importet, ndërsa bujqësia do të vuajë nga mungesa e tregut të qëndrueshëm.

Përfitimi i ndërsjellë kërkon një plan kombëtar për të integruar zinxhirin bujqësi-agroindustri-turizëm thotë z. Çakalli.

Disa masa që duhen sipas tij janë rritja e numrit të certifikimeve për produktet vendore; krijimi i më shumë tregjeve lokale në zonat turistike; organizimi i panaireve për të promovuar prodhimet lokale dhe artizanatin; përfshirja e prodhuesve në rrjete hotelerie, restorantesh, shoqatash etj; ulje taksash për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet prodhuesve dhe operatorëve të turizmit.

Z. Çakalli tha se sa më shumë të orientohen turistët drejt konsumit të prodhimeve vendëse, aq më shumë para do të qëndrojnë brenda ekonomisë shqiptare./ Monitor