Deputetja e PD Jorida Tabaku, në emisionin “Kjo Javë” në News24 është ndalur në aksionin më të fundit të marrë nga qeveria, për lirimin e hapësirave publike, një aksion që ka kulmuar në kryeqytet, me lirimin e 20 mijë metrave katrorë sipas kryeministri Rama.
Tabaku u shpreh se një qeverisje e tillë me aksione, është një shkak për rritjen edhe më të madhe të informalitetit, ndërsa ka shtuar se shteti ka tentuar që të tregojë forcën me biznesin e vogël.
Sipas saj, kjo mazhorancë ka një politikë që në fillim e nxit informalitetin, dhe më pas ndërmerr aksione të tilla.
“Tiranën nuk e ka drejtuar PD dhe lejet janë dhënë nga ata që e drejtonin. Kush ka lejuar abuzimet? Ka pasur disa leje të dhëna nga institucione të ndryshme. Jam kundër këtij tregimi forcë që shkon te biznesi në mes të sezonit turistik. E dimë që shteti është i fortë dhe ka çdo instrument në dorë. Pse duhet të bëhet kjo me biznesin e vogël? Kjo qeverisje me aksione ka rritur informalitetin. Sepse nga ana tjetër shohim aksione si legalizimi i të gjitha ndërtesave pa leje, stallave etj. Pra e stimulojnë informalitetin dhe më pas bëjnë aksione të tilla.
Po të shkosh në fshatrat e Tiranës, na thonë që është e pamundur të ndërtosh sepse të shkon më shumë “qoka” se ndërtimi”, tha ajo.