Ballina Opinion Mandati nuk është plaçkë dhe arroganca nuk është vizion

Mandati nuk është plaçkë dhe arroganca nuk është vizion

0
17

Nga Bledar Çela

Ajo që nisi si një aleancë shprese për ndryshim në politikën shqiptare, po përfundon përpara syve tanë si një shembull tjetër i krizës së lidershipit dhe dështimit për të ndarë pushtetin në mënyrë të ndershme. Përplasja brenda koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, ka dalë nga kornizat e një debati politik për parime dhe ka rrëshqitur në terrenin e presioneve, kërcënimeve të ulëta dhe arrogancës që nuk mund të fshihet më pas parullave për “politikë ndryshe”. Më saktë, njerëz pranë Lapajt janë vërsulur ende pa folur KQZ duke kërcënuar Endrit Shabanin dhe familjarë të tij, kërcënime këto të publikuara tashmë në media.

Për publikun, debati është bërë i njohur përmes akuzave të hapura dhe një lufte për mandatin e deputetit, të fituar përmes votave që erdhën nga një projekt i përbashkët, jo nga një emër i vetëm, aq më pak ai i Lapajt. Pikërisht këtu qëndron thelbi: Mandati nuk është pronë personale. Ai është një kontratë politike që qytetari e bën me një organizatë, me një vizion të shpallur publikisht dhe me njerëz që kanë ndërtuar besimin hap pas hapi. Në këtë rast, Endri Shabani është një nga arkitektët e kësaj kontrate. Ndërsa Lapaj përveçse bashkëpunëtor është ai që do merrte 71 mandate dhe në rastin me të keq nëse merrte veç një, s’do e pranonte por do t’ia jeptë të dytit.

Gjë që e hodhi poshtë shumë pak kohë pas deklaratës që mund ta ketë bërë nga euforia, por që nuk ndryshon asgjë për premtimin publik.

Të sulmosh Shabanin sot, me gjuhë të rëndë, shpesh të koordinuar nga figura pranë fisit të Adriatik Lapajt, është jo vetëm e padrejtë, por edhe e rrezikshme për modelin e ri politik që thuhet se përfaqësonte Lapaj. Kërcënimet, sulmet personale dhe tentativat për ta paraqitur si “armik të koalicionit” njeriun që kontribuoi në financimin dhe ndërtimin e koalicionit, janë simptomë e një arrogance që ka nisur të shpërfaqet qartë tashmë. Dhe është pikërisht ajo arrogancë që sot është pengesa më e madhe për funksionimin demokratik të çdo strukture të re politike.

Lapaj ka zgjedhur të sillet si pronar i një mandati që nuk do të ekzistonte pa strukturën që Shabani e ndihmoi të ndërtohej. Sepse për ata që s’e dinë, Thurje ishte parti me mandate këshilltarësh bashkiakë dhe financime nga KQZ teksa Lapaj përpiqej të zgjidhte nyjen me Florian Binaj, Edlira Çepanin etj. Sot të kërkosh që ai mandat të përdoret sipas vullnetit të një njeriu të vetëm, pa asnjë llogaridhënie ndaj koalicionit apo drejtuesve që ishin pjesë e marrëveshjes politike dhe qytetare, është t’i japësh politikës fytyrën e vjetër që shqiptarët po përpiqen ta lënë pas.

Në këtë klimë, është e domosdoshme të ngrihet zëri jo për të ushqyer konfliktin, por për të vënë disa kufij moralë: nuk mund të ketë vend për gjuhën e kërcënimit në një lëvizje që pretendon të ndryshojë politikën. Nuk mund të ketë vend për përvetësimin personal të një mjeti përfaqësimi si mandati, ndërkohë që fryma me të cilën është ndërtuar gjithçka tjetër përbuzet.

Nëse “Nisma Shqipëria Bëhet” do të ketë ende një të ardhme, ajo duhet të ndahet nga mendësia e “një burri të fortë” që bën ligjin. Duhet të tregojë se funksionon si bashkëpunim mes të barabartësh, jo si shfaqje personale e dikujt që mendon se mbështetja qytetare është një çek blanko për të vepruar si të dojë. Sot, Endri Shabani po mbron një parim, jo një karrige. Po mbron të drejtën e një komuniteti për të mos u tradhtuar nga arbitrariteti i një individi. Në këtë përballje, ai nuk duhet lënë vetëm.

*Marrë nga Facebook i autorit