Tatimi që arka e shtetit ka mbledhur nga të ardhurat e krijuara nga qytetarët shqiptarë përmes pagave dhe nga shitja e shtëpive, është zëri më rritjen më të madhe ndër të ardhurat e tjera që mbledh shteti.
Referuar të dhënave të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për periudhën Janar – Qershor 2025, janë në shumën 40.8 miliardë lekë apo rreth 408 milionë euro.
Nga ky burim, janë mbledhur 86 milionë euro ose 26.6% më shumë se 6 mujori i parë 2024, si dhe 54 milionë euro apo 15.4% më shumë se plani i periudhës Janar – Qershor 2025.
Por cilët kanë qenë faktorët që kanë ndikuar në rritjen kaq të lartë të të hyrave nga ky zë?
Përgjatë dy viteve të fundit është ndërmarrë reforma e rritjes së pagave në administratën publike ku paga mesatare kaloi nivelin e 900 eurove, duke bërë që edhe tatimi paguar mbi pagën që marrin të jetë më i lartë.
Kjo reformë ka vënë në lëvizje edhe sektorin privat duke nxitur në mënyrë indirekte lëvizje në paga, çka ka sjellë dhe konsum të shtuar.
Nga ana tjetër ndikim ka pasur fushata antiinformalitet e ndërmarrë nga qeveria lidhur me nëndeklarimin e pagave, duke bërë që vetëm gjatë muajit tetor 2024, mbi 9 mijë biznese të reagonin duke deklaruar me rritje pagat e punonjësve të tyre. Ndërsa fushata vijoi edhe më pas me një raund të dytë tek ato biznese që nuk kishin reaguar.
Nga ana tjetër përgjatë vitit të kaluar dhe në vijim ka pasur rritje të numrit të kontribuuesve në skemën e sigurimeve, kryesisht në subjektet private, të cilët mund të kenë ardhur edhe nga fushata antiinfomalitet, çka ka rritur dhe vlerën e paguar si tatim mbi pagat.
Ndërkohë që dyfishimi i numrit të punonjësve që plotësuan gjatë këtij viti Deklaratën Individuale të të Ardhurave, për shkak të uljes së pragut të deklarimit në nivelin e të ardhurave në 1.2 milionë lekë në vit, ka bërë që të paguhen më shumë detyrime.
Në zërin e tatimit mbi të ardhurat personale kontributin më të lartë e jep tatimi mbi pagat e punonjësve në sektorin privat dhe publik, e ndjekur nga tatimi i paguar nga shitja e pasurive të paluajtshme i cili është në nivelin 15 për qind si dhe tatimi mbi qiratë. Kjo tregon që veç pagave, ecuri pozitive ka pasur edhe sektori i pasurive të paluajtshme dhe finalizimi i transaksioneve, si dhe rritja e çmimit të qirave kryesisht në kryeqytet ka bërë që për ato qira të deklaruara, pagesa në tatime të jetë më e lartë.
Po ashtu një hapësire të konsiderueshme zë tatimi mbi të ardhurat nga dividendët dhe si dhe tatimi mbi të ardhurat nga interesat.
Tatimi mbi të ardhurat personale është zëri më i dytë me më ndikim në buxhetin vjetor të shtetit, pas TVSH-së dhe përbën afro 26.7% të totalit të të ardhurave tatimore./Scan